Kupa e Shqipërisë/ Bylis fiton me Tiranën, Kukësi-Teuta pa gola në ndeshjen e parë

03/07/2020 00:44

Bylis mundi Tiranën 2-1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, por më shumë se për rezultatin, kjo ndeshje do të diskutohet për teatrin e shëmtuar që u pa në Adush Muça sidomos në pjesën e dytë të sfidës kur Tirana ia la të gjitha frenat e lojës në dorë Bylisit pas një pjese të parë të fituar 1-0 me golin e Edon Hasanit.

Ajo çfarë u pa në pjesën e dytë ishte diçka me të vërtetë e turpshme për një skuadër që po shkon drejt titullit të 25 kampion. Tirana e dorëzoi pa kushte terrenin e lojës te Bylisit që me shumë lehtësi hynte në zonën e bardhebluve duke gjetur edhe golin e barazimit me Murataj me një lehtësi çarmatosëse.

Pritej reagimi i skuadrës së Egbo, por ajo mungoi totalisht, madje edhe në momentet që Tirana merrte topin në zotërim e dorëzonte me një lehtësi të jashtëzakonshme dhe po me këtë lehtësi Bylisi gjeti edhe golin e dytë po me Murataj. Minutat e fundit Bylisi mund të kishte shënuar edhe golin e tretë me Goxha me 11 metërsh por ky i fundit gaboi nga pika e bardhë duke bërë që rezultati të mbetet 2-1 dhe gjithçka të mbetet e hapur për kualifikimin për ndeshjen e kthimit që do të luhet në Tiranë në 15 korrik.

Ndërsa në gjysmëfinalen tjetër Kukësi-Teuta, ndryshe nga sa ndodhi në Ballsh, në fushën e lojës u pa ajo që u parashikua. Në Elbasan Arena sfida përfundoi 0-0 skuadrat zhvilluan një lojë të barabarte me skuadrat që bënë tentativat e tyre por pa mundur të gjejnë rrugën e rrjetës. Kjo do të thotë se skuadra finaliste do të mësohet pas 2 javësh në Niko Dovana të Durrësit.

Top Channel