Ndërsa e gjithë bota ka zier nga pandemia dhe nga lajmet kontradiktore përgjatë gjithë këtyre muajve këtu në Ksamil në oazin e kompozitorit Limoz Dizdari dhe të shoqes Adrianës gjërat kanë pasur një ritëm tjetër.
“Kjo hapësira e madhe krijon atë ajrin, bukurinë, lulet dhe me to unë jam marrë me preokupim dhe i jam kushtuar më shumë në këtë kohë. Duke mos pasur edhe nxënësit për mësim koha ka qenë me tepri por e kam shfrytëzuar edhe për kënaqësinë time për të studiuar , i jam kthyer shumë veprave që kam luajtur në rininë time, sikur kam bërë një lloj përtëritje në këtë aspekt”, shprehet Adriana Dizdari.
Adriana tregon se i është dashur të shkruajë vëllimin e dytë me përralla për fëmijët sepse banesa e tyre është një kënd i përshtatshëm për të shkruar duke i bërë një dhuratë fëmijëve gjatë kësaj periudhe izolimi.
Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj? A ju mungojnë nxënësit?
“Më kanë munguar nxënësit dhe jam munduar t’ua bëj mësimin online por pak e vështirë sepse ata kanë me muzikën kur janë këtu me mua megjithatë ja kemi dalë që të mos kenë shkëputje. Një tjetër pasion i imi gjatë kësaj kohe ka qenë që të shkruaj ndonjë poezi, ndonjë tregim, ndonjë përrallë. Botova librin e dytë me përralla dhe kam plane në këtë drejtim.”
Kompozitori Limoz Dizdari thotë se tashmë në Ksamil ka 19 piano të shpërndara në të gjithë qytetin.
“S’kemi bërë dot mësim me fëmijët sepse kanë qenë të mbyllur por ka pasur diçka të mirë të gjithë kanë blerë piano në shtëpi. Në gjithë Ksamilin ka 19 piano.”
A mësuam diçka me vlerë nga kjo periudhë?
“Patjetër qe po sepse familja ka një rëndësi mbi të gjitha. Gjatë kësaj periudhe kemi ardhur më afër me njëri-tjetrin. Jo vetëm unë i pyes të gjithë për shëndetin por të gjithë më pyesin mua e Adrianën si kemi qenë.”
“Ka një mësim të madh nga kjo periudhë që na tregoi se uniteti i familjes është shumë i rëndësishëm, që familja është baza e gjithçkaje, është baza e shoqërisë. Mendoni një familje që ikën në mëngjes dhe kthehet në darkë dhe papritur u izoluan në shtëpi. Ata kanë njohur njëri-tjetrin dhe këtë e kam nga eksperienca e familjeve të fëmijëve të mi”, sqaron nga ana tjetër Adriana.
Çifti Dizdari e kishte zbuluar më parë vlerën e gjërave më të rëndësishme në jetë. Ata na rikujtojnë të dy se familja është gjëja më e rëndësishme dhe kjo periudhë ju kujtoi të gjithëve vlerën e njëri-tjetrit , vlerën e të qenit afër.
Top Channel