Lazio “përmbys” Fiorentinën dhe mban të hapur garën për titullin kampion

27/06/2020 23:41

Lazio provon të mbakë të hapur garën për titullin kampion, pasi tre ditë pas humbjes me Atalantën, rikthehet te suksesi duke mposhtur Fiorentinën me përmbysje, me rezultatin 2-1.

Skuadra vjollcë e nisi mjaft mirë takimin dhe po i vinte rrotull golit të avantazhit, të cilin e gjeti në minutën e 25-të me anë të kampionit francez Franck Ribery, i cili depërtoi bukur në zonë dhe gjuajti saktë duke thyer Strakoshën.

Ky gol zgjoi Lazion, që filloi të shtyjë përpara dhe të krijojë disa raste shënimi, por mbrojtja e Fiorentinës ishte në një ditë të mirë dhe mbajti rrezikun larg kuadratit të Dragowskit.

Kthesa e ndeshjes erdhi në minutën e 67′, kur arbitri akordoi një penallti për kryeqytetasit, ndonëse pamjet tregonin qartë për një simulim të sulmuesit bardhekaltër Filipe Caicedo, i cili u hodh në tokē para se të kërkonte kontaktin me portierin Dragowski.

Nga pika e penalltisë u tregua i saktë goleadori i kampionatit italian Ciro Immobile, i cili riktheu baraspeshën, ndërsa 10 minuta para fundit ishte spanjolli Luis Alberto që shënoi golin e fitores me një gjuajtje mjaft të bukur në hyrje të zonës.

Fiorentina provoi deri në fund barazimin, por nuk ia doli, ndërsa me këtë fitore Lazio reduktoi sërish në 4 pikë diferencën nga Juventusi kryesues, duke mbajtur gjallë shpresat për titullin kampion.

Top Channel