Prokurori Zelinsky: Frika nga Trump çoi në ndryshimin e memorandumit për dënimin e Roger Stone

24/06/2020 21:32

Prokurori Aaron Zelinsky pritet të thotë gjatë një seance në Kongres se zyra federale që drejtoi ndjekjen penale të mikut të Presidentit Donald Trump, Roger Stone, u përballë me “presion të rëndë nga nivelet më të larta të Departamentit të Drejtësisë” për të lehtësuar rekomandimin mbi masën e dënimit të tij.

Prokurori Zelinsky, i cili u tërhoq nga çështja e zotit Roger Stone në shenjë proteste, do të dëshmojë të mërkuren para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Drejtësinë, të kontrolluar nga demokratët, në lidhje me presionet politike me të cilat ai tha Zyra e Prokurorëve amerikan në Uashgington po përballen.

Sipas deklaratës së përgatitur, ai gjithashtu do të thotë se Tim Shea, ushtruesi i detyrës së Prokurorit amerikan në atë kohë, i cili u emërua nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr, përfundimisht u tërhoq për shkak të presionit dhe “frikës nga Presidenti”.

Në dëshminë e tij të përgatitur, Zelinsky nuk e thotë kurrë në mënyrë të qartë se kush i bëri presion prokurorit Shea, por se atij i është thënë se ndaj zotit Shea “po ushtrohej presion i madh nga nivelet më të larta të Departamentit të Drejtësisë për një dënim më të lehtë për zotin Stone”.

“Më është thënë në mënyrë të drejtpërdrejt se motivimi për ndryshimin e memorandumit të dënimit ishte politik, dhe sepse Prokuroi kishte “frikë nga Presidenti”, tha zoti Zelinsky.

Republikanët pritet t’i kundërvihen dëshmisë së tij, duke thënë se ai po ngatërron politizimin me mosmarrëveshjet mbi politikat e Departamentit të Drejtësisë.

Zoti Zelinsky tha se prokurorët e karrierës nuk e panë draftin e memorandumit të rishikuar, të cilin Prokurori Shea e dorëzoi pasi Presidenti Trump kishte kritikuar ashpër zyrën në Twitter për rekomandimin e saj origjinal për një dënim prej 7 deri 9 vjet burg.

Presidenti republikan e quajti rekomandimin “të tmerrshëm” dhe “një ndarje të padrejtë të drejtësisë”. Miqësia e zotit Stone me zotin Trump ka filluar disa dekada më parë.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Kerri Kupec tha në një prononcim se zoti Zelinsky nuk kishte pasur asnjë diskutim për dënimet me Prokurorin e Përgjithshëm William Barr ose anëtarët e tjerë të udhëheqjes politike të departamentit dhe pretendimet e tij ishin të bazuara në interpretimet e tij dhe thashetheme.

Prokurori Barr nuk e ka diskutuar masën e dënimit për zotin Stone me Presidentin Trump ose dikë tjetër në Shtëpinë e Bardhë, dhe e kishte marrë vendimin për të rishikuar çështjen përpara postimeve të Presidentit Trump në Twitter, tha zëdhënësja Kupec.

Stone, 67 vjeç, i cili u dënua për pengim të drejtësisë, ndërhyrje tek dëshmitarët dhe gënjim para Kongresit gjatë hetimit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, do të paraqitet në burg më vonë këtë muaj për të filluar vuajtjen e dënimit të tij prej tre vjet e katër muajsh. Ai po kërkon një shtyrje të fillimit të vuajtjes së dënimit për shkak të shqetësimeve në lidhje me mundësinë e infektimit me Covid-19./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA