Pas hapjes së trafikut ajror Kosovë-Shqipëri, shpejt pritet të nisin edhe fluturimet ndërmjet këtyre dy shteteve shqiptare.
Një e drejtë e mohuar prej shumë vitesh tani po realizohet pas arritjes së marrëveshjes për hapjen e korridorit ajror ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Shqipërisë mbështetur edhe nga NATO.
E ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, një vendim të tillë po e konsideron si një hap drejt perspektivës së re për të dyja shtetet. Ambasadori Minxhozi një intervistë për KosovaPress, thekson se Shqipëria dhe Kosova duhet t’i shfrytëzojnë potencialet e tyre dhe kështu aeroporti i Kukësit dhe të tjerë do të jenë në shërbim edhe të Kosovës sikur që do të shfrytëzohet shpejt edhe “autostrada” energjetike interkonjeksioni 400 Kv.
“Është shumë pozitive, jo vetëm për nivelin e bashkëpunimit formal, por edhe konkret. Shqipëria tani është në një proces për hapjen e disa aeroporteve në Shqipëri, shumë shpejt pritet edhe aeroporti i Kukësit. Puna po vazhdon në aeroportin e Vlorës, natyrisht aeroporti i Tiranës është. Kështu që korridoret e Shqipërisë dhe Kosovës të jenë të hapura sidomos në periudhën e verës, në periudhën turistike”, thotë Minxhozi.
Diplomati nga Shqipëria po ashtu ka thënë se linjat ajrore janë një aset i përbashkët që mund të përdoren për kompanitë e ndryshme turistike brenda dhe jashtë Kosovës e Shqipërisë.
“Ky është një lajm i mirë, sepse ka qenë një e drejtë e mohuar që sot po realizohet. Natyrisht se do të shikojmë se si do zbatohet në praktikë në ditët në vijim, por është një lajm I gëzuar. Duhet të kemi parasysh që një det i Shqipërisë është det i Kosovës dhe një mal i Kosovës i Shqipërisë. Edhe linjat ajrore janë një aset i yni i përbashkët që mund të përdoren për kompanitë e ndryshme turistike brenda dhe jashtë Kosovës e Shqipërisë… Duhet të presim nuk është koha për të caktuar data, por e rëndësishme është që marrja e një vendimi të tillë hap një perspektivë të re në praktikë”, thotë ai.
Ambasadori Minxhozi ka thënë po ashtu se një prej projekteve me rëndësi që pritet të jetë në funksion shpejt, është projekti energjetik për interkonjeksionin 400Kv, që ishte cilësuar projekt madhor, që hap një kapitull të ri drejt integrimit të dy vendeve.
“Vendime të rëndësishme midis nesh janë disa, një prej vendimeve është edhe çështja e interkonjekionit, që është diçka shumë e madhe dhe besoj që do të zbatohet shumë shpejt. Është një arritje shumë e madhe, por ne këto arritje duhet t’i kthejmë në një pozitivitet konkret që mos të ngelën në parulla, por në punë konkrete se si do të transformojmë për të rritur bashkëpunimin. Bashkëpunimi është me rëndësi, nuk ka rëndësi ku prodhohet në Shqipëri a në Kosovë, por e rëndësishme është që ne duhet të konsumojmë produktet e njëri-tjetrit. Ne duhet të shikojmë asetet e njëri tjetrit”, deklaron Minxhozi.
Linja e interkonjeksionit 400Kv që quhet ndryshe edhe “autostrada energjetike” që lidh dy shtetet, është projekt i hartuar dhe përfunduar vite më parë, për ndërtimin e së cilës u deshën dhjetëra milionë euro. Financimi është bërë nga banka gjermane KfW. Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë ka një gjatësi totale 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km shtrihen në territorin e Kosovës./Kosova Press/
Top Channel