“S’ka mundësi rivlerësimi, testi nuk ka asnjë gabim”/ Vrapi: Nëse do ketë arsye, do rishikojmë shpërndarjen e pikëve

12/06/2020 15:19

Në një konferencë për mediat, Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) Rezana Vrapi foli sa i takon provimit të shumëpërfolur të Maturës Shtetërore, saktësisht atë të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, i cili u zhvillua ditën e djeshme.

Teksa sot, në protestën e mbajtur përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, gjimnazistët kërkuan ndër të tjera rivlerësim të provimit, Vrapi deklaroi se nuk ka mundësi rivlerësimi sepse testi nuk ka asnjë gabim.

“Asnjë nga pyetjet nuk është jashtë programit orientues, i kemi verifikuar para se provimi të hartohej. Mënyra se si ndërtohen teste kanë një metodologji të mirëpërcaktuar, nuk janë teste që bëhen brenda natës, punohen nga grupe specialistësh, mësues me shumë përvojë, të certifikuar, të cilët janë autoritet në fushën e tyre. Një nga veçoritë e këtij procesi është ndërtimi i vështirësisë. Teza kalon në dy duar, specialistët mbajnë përgjegjësi për pjesën shkencore.”

A ishin pyetjet me alternativa, forma më e mirë e testimit?

“Ne e kemi sqaruar, pse ndryshoi formatin, një nga arsyet ishte çështja e korrigjimit, korrigjimi realizohet nga grupe mësuesish. Në kohë pandemie, një nga detajet qe ministria mori parasysh ishte shëndeti i njerëzve që do të merren me procesin e korrigjimit. Pyetjet me alternativa nuk janë pyetjet më të mira të mundshme, pasi nuk mund të vlerësojnë të menduarit kritik. Dua të bëj me dijeni se në përfundim të korrigjimit, shikojmë shpërndarjen e pikëve, kurba e shpërndarjes, nëse vëmë re se është e spostuar, e rishikojmë dhe njëherë, bëjmë normalizimin e turmës. Nëse do ketë një arsye për të rishikuar shpërndarjen e pikëve, patjetër që do ta bëjmë në të mirë të tyre sepse ende nuk ka përfunduar procesi…”

A do ketë mundësi rivlerësimi?

“Testi nuk ka asnjë gabim shkencor, asnjë pyetje që duhet ta heqim.”

Përse nuk ka dalë ende çelësi i përgjigjeve?

“Këtë vit ne e ndryshuam paksa këtë procedurë për shkak se janë katër variante testesh, nëse ne do shpallim variantet maturantët nuk e dinë se në cilin variant ishin dhe do të konfuzohen. Pas datës 18 do të jetë shpallja e rezultateve, në krah të emrit edhe varianti që kanë patur. Atëherë do shpallim dhe skemën e vlerësimit.

Kërkesave të maturantëve çfarë përgjigje do t’u jepni?

“Për sistemin e pikëve do bëhet analiza në fund të daljes së të gjitha rezultateve, për të gjitha nivelet. Për rishikimin e testit nuk shoh asnjë arsye. I gjithë ekipi thotë që teksti nuk ka asnjë lloj problemi. Nuk mund të ndjek rrjetet sociale, nuk i ndjek fare me akuza të cilat janë thjesht në këto rrjete.”

Njoftim i Qendrës së Shërbimeve Arsimore

Qendra e Shërbimeve Arsimore njofton se Testi i Maturës Shtetërore 2020 është mbështetur tërësisht mbi programin e reduktuar. Në lidhje me pretendimin e ngritur për “pyetje jashtë programit”, nënvizojmë se NUK KA ASNJË PYETJE jashtë këtij programi. Në këtë kuadër, ftohen nxënësit të sjellin pranë QSHA ankesat konkrete për pyetjet që mendojnë se janë jashtë këtij programi në mënyrë që të adresohen duke i hequr nga vlerësimi.

Në lidhje me cut-off-in, në përfundim të marrjes së rezultateve, QSHA do të shikojë kurbën e shpërndarjes së pikëve. Bazuar mbi këtë kurbë, nëse do të vihet re zhvendosje të saj (në rast se ka pasur ndonjë grup pyetjesh me një shkallë më të lartë vështirësie), atëherë do të shikohet mundësia e ri-shpërndarjes së peshave të pikëve në test. I gjithë ky proces do të analizohet profesionalisht dhe në mënyrë të kujdesshme nga specialistët e fushës në mënyrë që të bëhet më e mira për maturantët.

Njëkohësisht, duam të shprehim se testi nuk ka asnjë gabim shkencor dhe mënyra se si hartohet përjashton çdo mundësi që të ketë gabime – qoftë në përmbajtje dhe qoftë në përfshirjen e koncepteve jashtë programit.

Për sa i përket dy (2) testeve të ardhshme të Maturës Shtetërore, bëjmë me dije se ata do të jenë me kohëzgjatje 2.5 orë dhe me alternativa, paçka se edhe kohëzgjatja prej 2 orësh e parashikuar në fillim është më se e mjaftueshme në zhvillimin e provimit.

Top Channel