“10 milionë euro për ‘kokën’ e Ervis Martinajt”, si “Princi Damian” i ngriti kurth bosit të lojërave të fatit, roli i Trejsi Sejdinit, pse Leonard Duka i dërgoi 500 dollarë në New York

21/05/2024 15:10

Ervis Martinaj dhe Leonard Duka, dy prej personazheve më të bujshëm të krimit në vendin tonë nga ortakë u kthyen në armiq të përbetuar të njëri-tjetrit.

Përplasja për biznesin e lojërave të fatit nga ku qarkullonin shuma të mëdha parash, i ktheu në dy armiq me përplasje të ashpra, deri në përpjekje për të eliminuar njëri- tjetrin.

Kreu i klanit “Duka”, Leonard Duka pasi dështoi të eliminonte Ervis Martinajn, i zhdukur prej gushtit 2022, filloi të hakmerrej duke vrarë një nga një grupin e tij të ngushtë.

Kështu dyshohet se Duka është porositësi i vrasjes së Santiago Malkos, krahut të djathtë të Martinajt.

Dyshohet se Duka do të ofronte 2 milionë euro kush jepte informacion për Ervis Martinaj dhe 10 milionë euro kush e vriste.

Këto shuma të mëdha parash në lojë bënë që vrasësit e botës së krimit të afrohen me klanin “Duka”, duke marrë përsipër vrasjen e Ervis Martinajt.

E përfshirë në botën e krimit është edhe modelja dhe njëkohësisht ish-Miss Universe Albania,Trejsi Sejdini.

Kjo për shkak se bukuroshja shqiptare e cila vitet e fundit ka jetuar mes Amerikës dhe Shqipërisë është komentuar për lidhje me Leonard Dukën.

Në dosjen hetimore thuhet se Duka i la porosi një prej ushtarëve të tij, Drianto Bardhit që t’i niste 500 dollarë Trejsi Sejdinit, e cila ndodhej në Neë York.

Paratë, sipas dosjes janë dërguar në emër të Drianto Bardhit dhe i ka pritur miku i modeles, fotografi Klevin Halili.

Në dosje zbardhet gjithashtu dhe një udhëtim që Trejsi Sejdini ka bërë me Leonard Dukën me të cilin ka kaluar në pikën e kalimit kufitar Morinë, më 10 shkurt të vitit 2019.

“Më datë 10.07.2020 Leonard Duka komunikon me Drianto Bardhi të cilit i referohet me pseudonimin “bace”, i jep porosi që të shkoj në Eestern Union dhe t’i nisë 500$ Trejsi Sejdini në Neë York. Në vazhdimësi Leonardi i shkruan që paratë t’i nisë në emrin e Klevin Halili. Drianto i dërgon fotografi të dërgesës që ka kryer, ku dallohet emri i dërguesit Drianto Bardhi dhe pritës shtetasi Klevin Halili.

Referuar verifikimeve të kryera në sistemin TIMS për shtetasen Trejsi Sejdini ka rezultuar që kjo shtetase më datë 10.02.2019 ka udhëtuar bashkë me shtetasin Leonard Duka me automjetin me targa AA843VU duke kaluar në pikën e kalimit kufitar Morinë.

Nga ana e Prokurorisë së Posaçme u kërkua në burimet e hapura për shtetasen Trejsi Sejdini dhe shfaqen artikuj mediatik në lidhje me faktin që kjo shtetase është lidhje e shtetasit Leonard Duka”, thuhet në dosje.

Leonard Duka njihet si njeriu që ka urdhëruar dhe organizuar vrasjen e Santiago Malkos, krahut të djathtë të Ervis Martinajt. Trejsi Sejdinit i është sekuestruar dhe një automjet në atë kohë, që sot është vënë në dispozicion të Policisë Rrugore.

Top Channel