Kur bota i kishte sytë tek Azia, në kërkim të shembujve të suksesshëm të menaxhimit të pandemisë së koronavirusit, shumë vëmendje dhe duartrokitje shkuan për Korenë e Jugut, Tajvanin dhe Hong Kongun. Por, kishte një histori tjetër suksesi që nuk ra fort në sy, Vietnami.
Vendi me 97 milionë banorë nuk ka raportuar as edhe një viktimë të vetme nga koronavirusi dhe të shtunën kishte vetëm 328 raste të konfirmuara, pavarësisht kufirit të gjatë të tij me Kinën dhe miliona vizitorëve kinezë që pret çdo vit. E kjo është e jashtëzakonshme duke marrë në konsideratë faktin se Vietnami është një vend me të ardhura të ulëta-mesatare, me një sistem të kujdesit shëndetësor aspak më të avancuar se fqinjët në rajon.
Ai ka vetëm 8 doktorë për çdo 10 mijë banorë, një e treta e shifrës në Korenë e Jugut. Pas një izolimi mbarë kombëtar tre javor, Vietnami hoqi rregullat e distancimit social në fund të prillit. Ai nuk ka raportuar infektime lokale prej më shumë se 40 ditësh. Bizneset dhe shkollat janë rihapur dhe jeta është kthyer gradualisht në normalitet.
Për skeptikët, shifrat zyrtare të Vietnamit mund të duken shumë të mira për të qenë të vërteta, por zyrtarët në vend thonë se ato tregojnë realitetin në terren. Por si ka mundur Vietnami të shpëtojë nga kthetrat e koronavirusit? Përgjigjia, sipas ekspertëve, qëndron në një kombinim faktorësh, që nga qendrimi i qeverisë, reagimi i hershëm e deri tek gjurmimi rigoroz i kontakteve, karantinimi dhe komunikimi efektiv publik.
Top Channel