Beduinët në Bregun Perëndimor i frikësohen aneksimit izraelit

31/05/2020 02:21

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë vazhdimisht se një nga qëllimet e qeverisë së tij të re është të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor. Ai i bëri jehonë këtij komenti në fillim të kësaj jave, duke thënë se plani do të përfshinte Luginën Jordan. Aneksimi do të prekte dhjetëra komunitete beduinësh që kanë jetuar atje që nga vitet 1950. Linda Gradstein raporton për Zërin e Amerikës nga Khan al-Ahmar në Bregun Perëndimor.

Edhe para krizës së koronavirusit, shumë nga 3 mijë beduinët në komunitete çadrash të shpërndara nëpër shkretëtirën e Bregut Perëndimor mezi fitonin jetesën. Kjo është Zona C, 60 përqind e Bregut Perëndimor nën kontrollin e vetëm të Izraelit. Një pjesë të saj, Kryeministri Benjamin Netanyahu thotë se planifikon ta aneksojë.

35’000 palestinezët që jetojnë në Zonën C, përfshirë beduinët, nuk përfitojnë shërbimet e duhura. “Disa shërbime jepen nga Izraeli, dhe disa shërbime jepen nga palestinezët. Si p.sh. arsimi dhe shërbimet shëndetësore jepen nga palestinezët. Planifikimi dhe infrastruktura jepen nga izraelitët, si furnizimi me ujë ose energji elektrike – asgjë (nuk vjen)” thotë Avner Haramati, i organizatës “Miqtë e Jahalinit”.

Duke u përpjekur të mbushin këtë boshllëk, vullnetarët izraelitë u shpërndajnë ushqim familjeve beduine në Bregun Perëndimor. “Sot në të vërtetë po mbledhim ushqim. Një pjesë u ble në Bregun Perëndimor, disa në Jeruzalem… Na japin perime dhe fruta që nuk iu duhen. Këtu jemi duke sistemuar të gjitha pakot dhe do të shkojmë në disa bashkësi. E bëjmë këtë një ose dy herë në javë dhe ua japim familjeve që kanë nevojë në të gjitha komunitetet përreth Jahalinit”, thotë zoti Haramati.

Eid Khamis Jahalin, baba i shtatë fëmijëve në fshatin Khan al-Ahmar, thotë se situata është përkeqësuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Shumica e beduinëve të zonës janë barinj. Beduinët nuk mund të shesin produktet e tyre të bulmetit në Bregun Perëndimor ose të shkojnë për punë bujqësore në fermat në pronësi të Izraelit.

“Nuk ka koronavirus tek asnjë prej beduinëve në këtë zonë. Ata jetojnë në shkretëtirë. Por ne kemi shumë probleme nga koronavirusi. Para së gjithash, askush nuk erdhi për t’i shpjeguar beduinëve se çfarë është koronavirusi ose si ta parandalojnë atë. Dhe gjithashtu për shkak të koronavirusit, gjithçka është e mbyllur. Izraeli mbylli gjithçka; nuk mund të shkojmë në treg në Jeruzalem, dhe gjithashtu palestinezët mbyllën gjithçka. Nuk mund të hyjmë në Betlehem, Ramallah ose Jeriko – është e mbyllur e gjitha”, thotë Eid Khamis, zëdhënës i fshatit Khan al-Ahmar.

I gjithë fshati i zotit Khamis, përfshirë një shkollë rajonale të ndërtuar nga një organizatë bamirëse italiane, janë kërcënuar për shumë vite me urdhëra prishjeje nga Izraeli. Këto quhen fshatra të panjohura, që do të thotë se shtëpitë janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe mund të prishen. Palestinezët thonë se është e pamundur të marrësh leje ndërtimi. Në vitin 2018, Gjykata e Lartë e Izraelit vendosi se Izraeli mund ta shkatërronte fshatin dhe t’i zhvendoste banorët e tij beduinë diku tjetër. Vendimi ngjalli një dënim ndërkombëtar.

“Jemi këtu (aktivistë dhe politikanë) për të mbrojtur potencialin për paqe, sepse nëse ata eliminojnë Khan al-Ahmarin sot, ky do të jetë fillimi i eliminimit dhe largimit të 46 komuniteteve në Zonën C, duke e aneksuar atë në Izrael dhe duke eliminuar, më në fund, mundësinë e zgjidhjes së dy shteteve dhe mundësinë e paqes në këtë rajon”, thotë Mustafa Barghouti, i Nismës Kombëtare Palestineze.

Urdhërat për prishjen të miratuara nga gjykata u shtynë deri në formimin e një qeverie të re izraelite, e cila ndodhi në fillim të këtij muaji. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë vazhdimisht se do ta zbatojë prishjen. “Khan al-Ahmar do të evakuohet. Është vendim i gjykatës. Është politika jonë dhe do të kryhet. Nuk kam ndërmend ta shtyj këtë për një kohë të pacaktuar … Do të vendosim afate kohore. Do të jenë të shkurtëra dhe besoj do të bëhet me pëlqim”, tha Benjamin Netanyahu, Kryeministri i Izraelit.

Shkatërrimi i fshatit do ta linte Izraelin të lirë për të zgjeruar vendbanimet e afërta hebraike, një veprim i cili rrjedhimisht mund të ndajë më dysh Bregun Perëndimor dhe të lehtësojë aneksimin e tij të ardhshëm./VOA

Top Channel