Sistemi i drejtësisë shqiptare ndër vite ka pësuar ndryshime me qëllimin për t’u përmirësuar dhe për të minimizuar rastet e korrupsionit. Mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur” u trajtua historia e një babai, Tomorrit i cili para disa vitesh kishte humbur djalin e tij në një aksident rrugor në qytetin e Lushnjës. Sipas ekspertizës së bërë nga prokuroria e atëhershme, kishte rezultuar që fajtor në këtë aksident kishte qenë djali i Tomorrit dhe për këtë arsye familja e tij duhet t’i paguante dëmshpërblimet palëve të dëmtuara.
Por sipas të dhënave dhe fakteve të mbledhura nga Tomorri rezultonte që djali i tij, Erioni nuk ishte shkaktar i aksidentit. Edhe pse familja e Tomorrit është pala e dëmtuar, ata ishin detyruar që të merrnin një avokat për të vërtetuar pafajësinë. Avokati i Tomorrit në qytetin e Lushnjës pasi ishte njohur me dosjen kishte hasur vështirësi në këtë çështje dhe ishte tërhequr pasi sipas tij nuk kishte se çfarë të bënte.
Në momentin që kishte ndodhur aksidenti, Erioni po shkonte në punë me zetor dhe në orën 05:30 të mëngjesit ai ishte përplasur nga pas nga një makinë tjetër.Gjatë aksidentit bashkë me Erionin ishte dhe ndihmësi i tij i cili kishte shpëtuar. Tomorri rrëfeu në studio se ai duhej të paguante dëmshpërblimin e zetorit, makinës që kishte përplasur Erionin dhe të ndihmësit që ishte në makinë me të.
Tomorri i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur” për të falenderuar avokatin Gëzim Hoxha i cili vazhdon të ndjekë çështjen e Erionit kunddrejt asnjë pagese, por edhe për ta bërë publike këtë rast të korrupsionit duke i bërë apel sistemit të drejtësisë. “Të falenderoj shumë që pranove të merresh me çështjen e Erionit. Falë ndihmës tënde unë jam akoma gjallë, ti më dhe jetë.”,- ishin fjalët e Tomorrit për avokatin e tij.
Avokati Gëzim Hoxha u shpreh se Erioni është i pafajshëm dhe se çështja e tij nuk është trajtuar nga eskpertët e duhur të fushës, por është mbyllur nga zyra e prokurorisë dhe pse dosja e dorëzuar nga ai vërteton që Erioni është i pafajshëm. Avokati dhe Tomorri denoncuan këtë rast korrupsioni dhe i kërkuan sistemit të drejtësisë që çështja të rishikohej dhe Erioni të shpallet i pafajshëm.
Top Channel