Dy iranianë akuzohen për komplot terrorist ndaj komunitetit hebre në Mançester, dyshohet se përdorën aplikacione të koduara për të siguruar pajisje shpërthyese
Endi Balla, banues në Shelby Township të Miçiganit, ka refuzuar në momentin e fundit të deklarohet fajtor për akuzat që rëndojnë ndaj tij për tentativën e rrëmbimit të dy vajzave të mitura, duke shtyrë edhe një herë procesin gjyqësor.
Bala me origjinë shqiptare akuzohet se në gusht të vitit 2024 tentoi të rrëmbente një vajzë 15-vjeçare në Clinton Township dhe një vajzë 7-vjeçare në Sterling Heights.
Sipas mediave amerikane, avokati mbrojtës Sam Bennet deklaroi se klienti i tij kishte pranuar marrëveshjen e fajësisë javën e kaluar, por ndryshoi mendje pak para nisjes së seancës.
Gjatë seancës në gjykatë, gjyqtari e pyeti Ballën nëse dëshironte të deklarohej fajtor, por ai u përgjigj shkurt: “Jo”. Pas refuzimit të marrëveshjes, çështja do të vijojë drejt gjykimit.
Gjatë paraqitjes së tij në sallën e gjyqit, Balla shkaktoi tension me sjelljen e tij. Në një moment ai tentoi të komunikonte me personat në sallë dhe më pas u tregoi gishtin e mesit familjarëve të dy vajzave të mitura, sipas raportimeve nga mediat lokale amerikane. Sjellja e tij solli reagime në sallë, ndërsa avokati dhe gjykatësi ndërhynë për të vendosur rregull.
Procesi gjyqësor ndaj tij është shoqëruar prej muajsh me debate mbi gjendjen e tij mendore. Në një fazë, prokuroria shqyrtoi edhe mundësinë e një pretendimi për paaftësi mendore, ndërsa më herët gjatë këtij viti Balla u shpall i aftë për t’u përballur me drejtësinë.
Familjarët e dy vajzave të mitura kanë shprehur lodhje dhe zhgënjim për zvarritjen e procesit, duke kërkuar që çështja të përfundojë sa më shpejt.
Endi Balla do të rikthehet në gjykatë më 24 gusht për një seancë paraprake. Nëse nuk arrihet një marrëveshje e re, gjyqi ndaj tij është planifikuar të nisë në muajin tetor.
Top Channel