Dje është shkarkuar nga detyra kryemyftiu në Maqedonisë së Veriut, Sulejman Rexhepi. Rexhepi u shkarkua pas një votimi të mbajtur në komunitetin mysliman në Maqedoninë e Veriut.
Mësohet se deri në në zgjedhjen e kryemyftiut të ri, komunitetin mysliman në Maqedoninë e Veriut do ta drejtojë myftiu i deritanishëm i Gostivarit, Shaqir Fetahu.
“Vendosëm për shkarkimin e Sulejman Rexhepit nga posti i kreut të BFI-së. Deri në përgatitjen e kushteve për zgjedhje për kryetar, ushtrues detyre është Shaqir Fetahu. Ky vendim hyn në fuqi nga momenti i marrjes së tij”, tha ai.
Ish-kryemyftiu Rexhepi ka qenë shumë i përfolur në opinion gjatë periudhës së fundit. Ai hyri në “luftë të hapur” me qeverinë gjatë krizës me koronavirus. Rexhepi kundërshtoi disa vendime qeveritare dhe vendosi hapjen e xhamive përkundër rekomandimeve të qeverisë që të vazhdojnë të jenë të mbyllura. Gjithashtu, ai kërkoi edhe fonde për Fakultetin e Shkencave Islame në pakot emergjente financiare të qeverisë, si dhe u shpreh hapur kundër orës policore disa ditore gjatë festës së Fitër Bajramit.
Ish-kryemyftiu i RMV-së ishte shumë aktual edhe për jetën e tij private, pasi para pak ditësh qarkulluan disa fotografi të martesës së tij me një femër 50 vjet më të re. Sulejman Rexhepi ishte në krye të Bashkësisë Fetare Islame që nga viti 2006, ndërsa ndër vite kanë dështuar disa tentativa për shkarkimin e tij.
Herën e fundit në prill të vitit 2019 një grup i të pakënaqurve tentoi të vendosë kontroll mbi godinën e Rijasetit. Por, myftinjtë të cilët e shkarkuan sot atë kohë i dhanë mbështetje të plotë Rexhepit, duke ia dhënë të drejtën juridike që të kërkojë nga organet e rendit rikthimin e kontrollit ndaj Rijasetit.
Top Channel