“Infantino të largohet sot”, shpërthen revolta pas faljes së Balogun, UEFA sulmon FIFA-n

06/07/2026 14:12

Një nga skandalet më të mëdha të këtij Botërori ka shpërthyer pas vendimit të FIFA-s për të pezulluar ndëshkimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun, duke i hapur rrugën aktivizimit ndaj Belgjikës.

Balogun ishte ndëshkuar me karton të kuq në sfidën ndaj Bosnje-Hercegovinës dhe, sipas rregullores, duhej të mungonte në ndeshjen e fazës së 1/16-ve. Megjithatë, FIFA ndryshoi vendimin pasi presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar rishikimin e pezullimit. Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në botën e futbollit. Federata Belge është shprehur e habitur dhe ka paralajmëruar apel në FIFA, madje edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Edhe UEFA reagoi me një deklaratë të ashpër, duke e cilësuar vendimin si “të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”, ndërsa paralajmëroi se ky precedent rrezikon integritetin dhe besueshmërinë e garës. Ndërkohë, prezantuesi i njohur britanik Jeff Stelling kërkoi publikisht dorëheqjen e menjëhershme të Gianni Infantinos.

“Është një turp absolut. Nuk ka rëndësi nëse kartoni i kuq ishte i drejtë apo jo. Problemi është mënyra si janë sjellë autoritetet. Gianni Infantino duhet të japë dorëheqjen sot”, deklaroi ai për talkSPORT, duke shtuar se mbi FIFA-n rëndojnë tashmë dyshime serioze për ndërhyrje politike dhe mungesë transparence.

Në debat është përfshirë edhe ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, i cili shkroi në rrjetet sociale se kartonët e kuq nuk zhbëhen me telefonata politike, por vetëm përmes rregullave dhe organeve të pavarura. Sipas mediave britanike, rasti Balogun mund të krijojë një precedent edhe për kombëtaret e tjera. Në Angli po diskutohet mundësia e kërkimit të një trajtimi të ngjashëm për Jarell Quansah, i pezulluar pas kartonit të kuq ndaj Meksikës, çka rrezikon të hapë një kapitull të ri polemikash në këtë Kupë Bote.

Top Channel