Presidenti Donald Trump vazhdon t`I kërkojë shteteve që të rihapin bizneset pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme ndaj koronavirusit. Komentet e fundit, presidenti i bëri ndërsa vizitoi një fabrikë të prodhimit të automobilave në Miçigan e cila tashmë po përdoret për prodhimin e respiratorëve për pacientët me COVID-19.
Të 50 shtetet kanë njoftuar plane për t’u rihapur të paktën pjesërisht pas vendimeve për mbyllje që kanë dëmtuar ekonominë amerikane. Presidenti tha se edhe nëse do të ketë një valë të dytë shpërthimi të koronavirusit “SHBA nuk do të mbyllet”.
Gjatë fjalimit të tij trump e bëri të qartë se “një bllokim i përhershëm nuk është një strategji për një shtet të shëndetshëm apo një vend të shëndetshëm“. Vendi është gati “për një rikthim epik” shtoi shefi I Shtëpisë së Bardhë. Masat e izolimit, mjaft të vlerësuara në frenimin e përhapjes së koronavirusit gjatë kohës kur ishte në kulmin e forcës së tij, shkaktuan nga ana tjetër dëme të mëdha në ekonomitë botërore. Gjatë nëntë javëve të kaluara, 8.6 milionë amerikanë aplikuan për të përfituar pagesën e papunësisë. Në SHBA të premten u regjistruar mbi 1 milion e 577 mijë të prekur nga sëmundja, ndërsa vdekjet janë rreth 95 mijë. Më herët, Trump urdhëroi uljen e flamujve amerikanë në gjysmë shtizë për tre ditë, në nder të amerikanëve që kanë humbur jetën nga koronavirusi.
Top Channel