Si po rishfaqet koronavirusi në vendet ku janë zbutur masat kufizuese

14/05/2020 18:51

Vendet që kanë nisur tashmë zbutjen e kufizimeve të koronavirusit po veprojnë për të evituar goditjen nga një valë e dytë e infeksioneve.

Gjermania, Korea e Jugut, Kina e Libani kanë zbutur masat e izolimit dhe kanë shfaqur shenjat e rritjes së rasteve të reja.

Ekspertët thonë se dy nga vendet më të goditura në Evropë, Spanja e Italia, gjithashtu rrezikohen nga përhapje të reja teksa vendet i rikthehen punës, shkruan Metro.

Ndërsa krye-epidemiologu i Danimarkës ka thënë se vendi i tij “nuk ka gjasa” të goditet nga një valë e dytë infeksionesh, megjithë hapjen e vendeve publike.

Gjermania kësaj fundjave heq kufizimet në kufij por qeveria ka paralajmëruar se masat do të rivendosen shpejt në zonat me përhapje të reja.

Pas shfaqjes së infeksioneve në një fabrikë mishi, kancelarja gjermane Angela Merkel tha: “Ne gjithmonë duhet të jemi vigjilentë, sepse pandemia nuk ka kaluar. Ka ende rrugë për të trajtuar virusin që kemi përpara”.

Prej javës që shkoi në Gjermani janë hapur të gjithë dyqanet dhe nxënësit kanë nisur rikthimin në shkolla, ndërsa kampionati gjerman i futbollit Bundesliga rinis në fundjavë.

Merkel ka thënë se është hartuar plani i ‘përhapjes së emergjencës’ nga autoritetet rajonale që do të zbatohet nëse infeksionet arrijnë në 50 për çdo komunitet me 100,000 banorë.

Autoritete e epiqendrës origjinale të pandemisë Vuhan, kanë nisur një fushatë ambicioze për testimin e të gjithë 11 milionë rezidentëve, pas disa infeksioneve të reja që prej heqjes së kufizimeve një muaj më parë.

Ndërsa në qytetin verilindor kinez të Shulan është vendosur izolimi për rreth 600,000 banorë prej rasteve të reja.

Në Liban autoritetet kanë rivendosur izolimin kombëtar për katër ditë nga sot, pas një rritje të infektimeve, dhe ankesave për moszbatim të distancimit social.

Izolimi i emergjencës vjen pas 104 rasteve të reja në katër ditët e fundit, shumica e të cilave të raportuara nga libanezët e rikthyer nga vende të tjera.

Korea e Jugut ka thënë se do të rivendosë rregulla strikte të distancimit social pas një serie rastesh të lidhura me një klub nate në Seul.

Zv. Ministri i shëndetësisë atje Kim Gang-lip, tha se qeveria ka nevojë për kohë të analizojë zbutjen e rregullave të distancimit social.

Korea e Jugut ka zbutur rregullat e distancimit social javës që shkoi por katër ditët e fundit ka regjistruar nga rreth 30 raste të reja përditë. Sot vendi kishte 26 raste të reja, 20 prej të cilave të lidhura me klubin Itaewon në qendër të Seul.

FOTO GALERI
1/8
Njerëz në Bonn ulen jashtë, sipas shenjave të distancës sociale 1.50 metra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA