Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me një paralajmërim të bërë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për uljen e rritjes ekonomike të Shqipërisë.
Sipas Metës ky paralajmërim është jo vetëm shqetësuese në një plan afatshkurtër, por dhe tregojnë krizën e thellë strukturore të ekonomisë sonë.
Më tej presidenti Meta shprehet se duhet të punohet seriozisht për të mbështetur aktivitetet ekonomike aktuale, por dhe të mendohet për të tejkaluar krizën strukturore duke rishikuar modelin ekonomik.
Reagimi i Metës:
Paralajmërimet e fundit të BERZH dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare për uljen e rritjes ekonomike të Shqipërisë, janë jo vetëm shqetësuese në një plan afatshkurtër, por dhe tregojnë krizën e thellë strukturore të ekonomisë sonë. Ndaj duhet të punohet seriozisht për të mbështetur aktivitetet ekonomike aktuale, por dhe të mendohet për të tejkaluar krizën strukturore duke rishikuar modelin ekonomik.
Modeli ekonomik duhet të mbështetet në diversifikimin e ekonomisë për të ulur riskun e krizave dhe për të siguruar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Ne duhet të punojmë për të shfrytëzuar kapacitetet potenciale të vendit tonë për të rritur prodhimin e energjisë, për të rritur vlerën e burimeve minerale dhe natyrore nëpërmjet përpunimit të tyre, për të rritur prodhimin industrial dhe për të shumëfishuar prodhimin bujqësor dhe atë agro-industrial.
Zgjerimi i kapaciteteve portuale, i rrjetit të transportit, si dhe i transmetimit të energjisë është potencialisht një mundësi tjetër për të shfrytëzuar avantazhin tonë gjeografik rajonal.
Ndërkohë që çdo politikë ekonomike dhe investimesh duhet të garantojë mbrojtjen e mjedisit si domosdoshmëri për fuqizimin e turizmit në mënyrë afatgjatë dhe me vizion.
Top Channel