Në Maqedoninë e Veriut nuk ka ende një datë për zgjedhjet e parakohshme. Paraditen e të martës, liderët e partive politike u mblodhën nga presidenti i vendit, por në përfundim të takimit, u tha se nuk kishte ende një datë për zgjedhjet.
Kryetari i Aleancës për shqiptarët, Zijadin Cela, tha se nuk është rënë ende dakord për një datë përfundimtare për zgjedhjet dhe se në takimin e të martës u informuan për gjendjen e krijuar në vend nga koronavirusi dhe hapat që do të ndërmerren në ditët në vijim. Javën e ardhshme sipas Celës, do të ketë një tjetër takim mes liderëve dhe do të vendoset për datën e zgjedhjeve.
“Diskutuam gjerë e gjate për situatën dhe ramë dakord që datën e zgjedhjeve ta caktojmë me konsensus. Ishte e nevojshme që sot të kishim informacione paraprake nga institucionet kompetente për situatën rreth virusit. Maqedonia nuk mund ti lejojë vetes që të mbajë zgjedhje pa prezencën e OSBE-ODIHR dhe duhet ti drejtohet këtij misioni me një ftesë. Nga ana tjetër duhen edhe konsulta me KSHZ-në për afate dhe javën tjetër do të kemi përsëri një takim te presidenti- tha Sela.
Pavarësisht nëse ka apo jo një datë për zgjedhjet e parakohshme, ekspertët thonë se afatet për organizimin e tyre nisin të rrjedhin një ditë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend. Dekreti i qeverisë, me të cilin u shpall gjendja e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së koronavirusit, ngriu aktivitetet parazgjedhore.
Me shfuqizimin e gjendjes së jashtëzakonshme – thonë ekspertët- shfuqizohet edhe dekreti i qeverisë. Sidoqoftë, për ta, afatet më të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut janë datat 14,21 dhe 28 qershor. Partitë politike në vend deri më tani kanë shprehur qëndrime të ndryshme mbi datën e mundshme të zgjedhjeve, ndërsa kryetari i Kuvendit ka deklaruar se nuk do të nënshkruajë një dekret të ri për zgjedhjet.
Top Channel