Gjatë një konference për mediat, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka kundërshtuar paketën e re fiskale, duke e cilësuar atë si një goditje ndaj bizneseve dhe profesioneve të lira.
Kryedemokrati pretendoi se rritja e taksës për profesionet e lira me 21% dhe ndryshimi i taksës së dividendit nga 8% në 15% do të rëndojnë bizneset dhe do të nxisin falimentimet dhe largimin e tyre nga Shqipëria.
Fjala e Sali Berishës:
Por unë jam sot këtu për të denoncuar edhe njëherë paketën fiskale të re si paketën e mjerimit të qytetarëve. Si paketën e mbështetjen së oligarkëve dhe miliarderëve. Edi Rama, thuhet se në fshehtësi të plotë edhe nga ministrat e tij, paraqiti dy ditë më parë një paketë në të cilën rrit taksat në total me rreth 200 milionë euro.
Me të cilën godet në mënyrë të egër bizneset e vogla, profesionet e lira, klasën e mesme me një rol përcaktues në shërbimet ndaj qytetarëve, familjet e varfra. Të ndalemi pak, në paketën e tij famëzezë ai rrit TVSH-në e përgjithshme, siç tha vetë, me 21 përqind duke shkaktuar kështu një rritje të përgjithshme të çmimeve.
Duke goditur kështu aftësinë konkurruese të sipërmarrjeve shqiptare. Me paketën e tij, ai njoftoi se do të ulë TVSH-në për 50 e sa mallra të cilat përbëjnë mallrat bazë. Në pamje të parë kjo duket se bëhet për të ulur çmimet. Zero efekt. Hipokrizi totale. Pse hipokrizi totale?
Sepse në të njëjtën kohë të gjitha dyqaneve ku blihen këto mallra u ul pragun e TVSH dhe i fut në TVSH. Pra, dyqanet në tërësi, 90-95 për qind e tyre janë biznese me xhiro nën 10 milionë. Tani e ul nën 5 milionë.
Këto pikërisht, dyqanet që shesin mallrat, të cilat blihen dhe hiqet TVSH, tani këto futen në TVSH. Këto kanë dy rrugë, falimentimin ose rritjen e çmimeve. Tallet në mënyrë cinike me taksën e naftën.
Nafta, qytetarëve që nuk kanë vetura, u ndikon tek bileta e autobusëve. Kurse qytetari që përdor veturën çdo ditë dhe janë tani qindra mijëra qytetarë, ky thotë se do ua heq tek litri i naftës dhe do ua marr tek makina.
Po, ka vende që kanë këtë sistem, por nuk kanë kurrë këtë taksë qarkullimi që ka Shqipëria. E kanë çerekun e saj dhe e marrin tek makina. Kurse ky do marrë taksën më të lartë. Do marrë tek makina 1.1 euro për çdo litër naftë. Në një akt absolut të papërgjegjshëm ky rrit në 21 për qind taksën e profesioneve të lira. Çfarë do të ndodhë tani me këtë paketë?
Kjo paketë djallëzore do detyrojë të falimentojnë qindra mijëra biznese të vogla, të cilat mbajnë së paku një familje, dhe ata mbeten të marrin rrugët e dheut. Do të falimentojë në tërësi profesionet e lira dhe ata mbeten të marrin rrugët e dheut. Pra, është një paketë e shpopullimit.
Por të marrim një aspekt tjetër. Ulja e TVSH në 6 përqind, do japë kjo ulje çmimesh? Jo, aspak. Nuk e lejon informaliteti. Nuk e lejon ulja e pragut nga 100 në 50. Por ka një gjë tjetër të tmerrshme në Shqipëri: çmimet i rrit droga.
Si? Shumë thjeshtë. Guvernatori i Bankës pret tonelata lekë dhe i nxjerr në treg për të blerë narkoeurot. Çfarë është inflacioni? Nga sa përcaktohet? Raporti i parasë në qarkullim me prodhimin. Ky është inflacioni. Po si është prodhimi në Shqipëri? Prodhimi në Shqipëri është në rënie brutale. Pavarësisht nga kjo, Banka e Shqipërisë nxjerr me thasë tonelata lekë në treg për të blerë narkoeurot.
Paraja në qarkullim muajin që kaloi ishte 17 për qind më e lartë se një vit më parë. Çfarë do të thotë kjo? Dëgjojeni pak se çfarë tha, ka familje që e vuajnë inflacionin. Çka do të thotë se ai inflacion që japin, nuk është kurrë real. Por edhe ai që japin nuk është rezultat, ka për rezultante të sigurt drogën. Hedhjen e lekëve për të blerë paratë dhe jo prodhimin. Prodhimi në Shqipëri bie çdo vit.
Rritja ekonomike nuk është rritja e prodhimit. Rritja ekonomike në Shqipëri përcaktohet nga taksa që vilen dhe merren nga administrata e stërfryrë, nga taksa që merren nga qytetarët, dhe nga ndërtimi. Nuk ka investime. Investimet e huaja janë në ditën më të keqe. Të gjitha ato që quhen investime janë blerje të kateve të kullave të drogës dhe ndërtimeve të drogës. Pra, paketa do të shkatërrojë qindra mijëra biznese, do të largojë nga Shqipëria me dyfishimin e dividendit, ishte 8 e bëri 15, dhe e bëri pa asnjë konsultim.
Top Channel