Ish-Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi flet për martesën e vajzave dhe porosinë që u ka dhënë atyre!

26/04/2020 18:28

Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr Bamir Topi në një lidhje direkte nga shtëpia e tij për “E Diell” në Top Channel zbuloi detaje nga jeta e tij publike dhe familjare.

Ai ndau me teleshikuesit argumentat e tij bindës për situatën e krijuar nga Covid-19 duke dhënë një dritë jeshile. “Si Profesor i Biologjisë Molekulare, parashikoj nga faktet shkencore që në javën e dytë ose të tretë të Majit të kemi një përmirësim të situatës së virusit” pohoi Prof. Dr Topi.

Ai risolli në mendje edhe dilemën e vitit 1996 nëse duhej të futej apo jo në politikë, por që sipas tij edhe po të ishte marrë vetëm me shkencë, nuk do ishte keq.

Sa i takon jetës familjare, ish-Presidenti ndër të tjera kujtoi ditën e dasmës së tij dhe të vajzave.
“Dasma ime daton në vitin 1986. Mbaj mend që është bërë në oborrin e shtëpisë sime tipike tironse e cila ekziston akoma dhe ndodhet diku te rruga e Barrikadave” ka treguar ai.

“Kemi ruajtur një lloj tradite dhe kemi shfrytëzuar sipërfaqjen e bollshme të shtëpisë, pra edhe dasmat e vajzave janë bërë këtu dhe kanë shkuar shkëlqyeshëm. Të ftuarve në dasmë u kemi dhuruar nga një shishe vaj ulliri bio nga bahçja jonë” ka rrëfyer më tej z. Topi. Porosia e tij më e shpeshtë që i jep të dyja vajzave është që të krijojnë secila një familje të madhe me sa më shumë fëmijë.

Top Channel