Emisari special i presidentit të SHBA-së Donald Trump, Richard Grenell, ka reaguar pas deklarimeve të presidentit Hashim Thaçi, se taksa dhe reciprociteti duhet të hiqen në mënyrë që të forcohen marrëdhëniet e Kosovës me SHBA dhe BE-në.
Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se nëse hiqen tarifat dhe reciprociteti nga java e ardhshme, atëherë do të fillojë dialogu me seriozitet.
“Posa të hiqen tarifat/reciprociteti (ndoshta këtë javë?), atëherë dialogu fillon me seriozitet. Unë kam folur me liderët në Serbi dhe Kosovë për të sqaruar se ata duhet të fillojnë të ndërtojnë besim sot në përgatitje – dhe ata janë angazhuar ta bëjnë këtë. Të tjerat do të vijnë së shpejti”, ka shkruar Grenell.
Presidenti Thaçi ka thënë sot se javën e ardhshme do të ndërmarrë hapat përfundimtarë kushtetues për formimin e qeverisë së re, teksa ka shtuar se taksa he reciprociteti duhet të hiqen, në mënyrë që të forcohen raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Top Channel