SHBA tashmë ka lënë pas Italinë duke regjistruar shifrën më të lartë të viktimave të koronavirusit në botë.

Të dhënat më të fundit, të dhëna nga universiteti John Hopkins, tregojnë se më shumë se 20 mijë njerëz kanë humbur jetën në shtetet e bashkuara. Ky bilanc i zymtë vjen pak pasi SHBA u bë vendi i parë në botë që regjistroi 2000 viktima të virusit në një ditë të vetme.

Guvernatori i Nju Jorkut, Endriu Cuomo tha të shtunën se bilanci i viktimave në këtë shtet dukej se po stabilizohej. Duke njoftuar bilancin 24 orësh prej 783 viktimash, ai nënvizoi se ditët e fundit, shifra nuk ka ndryshuar shumë.

“Kjo nuk është shifra më e lartë e regjistruar dhe ju mund të shikoni se numri duket se po stabilizohet, por po stabilizohet me një ritëm të frikshëm. Këto janë shifra të pabesueshme që flasin për një humbje dhe dhimbje të papërshkrueshme”.

Shteti i Nju Jorkut është bërë epiqendra e epidemisë në SHBA, duke regjistruar më shumë se 180 mijë nga gjithsej 530 mijë rastet në vend. Nga e shtuna, çdo shtet në SHBA ka shpallur gjendjen e emergjencës si reagim ndaj epidemisë.

Ka tani të paktën 529951 raste të regjistruara të Covid 19 në të gjithë SHBA-të. Doktor Antoni Fauci, shefi i sëmundjeve infektive në SHBA, ka thënë se vendi po fillon të shikojë nivelizim dhe zbritje të rasteve dhe viktimave por përpjekjet për ndaljen e virusit, si distancimi social, nuk duhet të ndalen. Rekomandimet federale për distancim social, të lëshuara nga presidenti Donald Trump, janë në fuqi aktualisht deri më 30 prill.

Presidenti ndërkohë po përballet me një presion të dyfishtë nga epidemia: me të paktën 16 milionë vende të humbura pune javët e shkuara ndërkohë kufizimet për shkak të virusit kanë gjunjëzuar ekonominë e vendit. Ai tha të premten, se një këshill i ri, i përbërë nga figura të biznesit dhe mjekësisë, do të ngrihej javën e ardhshme për ta ndihmuar atë në marrjen e vendimit më të madh në jetën e tij, atë të përcaktimit të kohës se kur do të zbuten masat.

FOTO GALERI
8/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA