Kriza Covid-19 nuk ishte fatkeqësi e pashmangshme natyrore por një dështim i veprimtarisë njerëzore. Historiani i njohur hebre, HARARI, thotë se posedojmë shkencën, mençurinë e nevojshme dhe një komunitet në favorin tonë në luftën kundër koronavirusit. Për gazetën e njohur, South China Morning Post, me seli në Hong Kong, historiani hebre Yuval Harari, autor i “Sapiens” dhe “Homo Deus”, i është përgjigjur pyetjeve se si kjo pandemi e koronavirusit shfaq sfida të pashembullta mbi “spiunimin” biometrik të njerëzimit, qeverisjen apo dhe bashkëpunimin global në të ardhmen.

Ne nuk mund të parandalojmë shfaqjen e sëmundjeve të reja infektive, i përgjigjet Harari, pyetjes së gazetares teksa citon ajo citon librin e tij “Homos Deus”. Patogjenët vazhdimisht kërcejnë nga kafshët te njerëzit, ose pësojnë mutacione që i bëjnë ato më ngjitëse dhe më vdekjeprurëse se më parë. Sidoqoftë, ne kemi fuqinë të frenojmë këtë lloj sëmundje epidemike dhe ta parandalojmë atë të vrasë miliona njerëz ndërsa ekonomia nga ana tjetër shkatërrohet. Por ajo që duhet ne të bëjmë sot është të krahasojmë situatën tonë, me atë në epokat e mëparshme. Kur murtajat pllakosnin dikur në epokën para-moderne, njerëzit zakonisht nuk e kishin idenë se çfarë ishte kjo sëmundje dhe mbi të gjitha nuk dinin se çfarë mund të bëhej për ta ndaluar atë. Ata zakonisht fajësonin për murtajën, perënditë e zemëruara ose dhe magjinë e zezë, e gjëja më e mirë që ata mendonin se mund të bënin ishin lutjet masive ndaj perëndive – gjë që shpesh çonte në një përhapje më të madhe të saj. Kur në shekullin e XIV-të “Murtaja e Zezë” vrau më shumë se një të katërtën e të gjithë njerëzve në Azi dhe Evropë, njerëzit nuk arritën dot kurrë të zbulonin se çfarë e shkaktoi atë.

Kur në shekullin e 16-të, sëmundja e lisë dhe epidemi të tjera vranë deri në 90% të popullsisë vendase të Amerikës, si aztekët, mayat dhe inkët, nuk u arrit të mblidhej asnjë e dhënë pse ata po vdisnin me miliona. E kundërta ndodhi kur epidemia e koronavirusit filloi: shkencëtarëve iu deshën vetëm dy javë për të identifikuar virusin e ri, klasifikimin e gjenomit të tij dhe vijimin e punës për të zhvilluar një test të besueshëm për të identifikuar njerëzit e infektuar.

Mjekët po e fitojnë garën e armëve me patogjenët, sepse ato mbështeten në mutacione ‘qorre’, vazhdon të përgjigjet më tej Harari, në intervistën e tij, ndërsa mjekët po mbështeten në informacionin që ky patogjen mbart. Vendet mund të dërgojnë informacione, ekspertë dhe pajisje për të ndihmuar njëri-tjetrin për të mbajtur nën kontroll përhapjen e kësaj epidemie. Nga ana tjetër qeveritë dhe bankat mund të hartojnë një plan të përbashkët për të parandaluar kolapsin ekonomik. Sidoqoftë, ekziston një paralajmërim për të gjithë: fakti që njerëzimi ka fuqinë të frenojë pandeminë, nuk do të thotë se ai gjithmonë ka mençurinë ta përdorë mirë atë fuqi. Në vitin 2015 në librin tim “Homo Deus”, shton Harari unë shkrova se “për sa kohë ne nuk mund të jemi të sigurt që shpërthime të reja të Ebolës ose ndonjë lloj tjetër gripi i panjohur do të vrasin miliona, ne nuk do të mund ta vlerësojmë atë si një fatkeqësi të pashmangshme natyrore. Përkundrazi, ne do ta shohim atë si një dështim të pafalshëm njerëzor dhe do të kërkojmë kokat e atyre që janë përgjegjës. … Njerëzimi i ka njohuritë dhe mjetet për ta parandaluar këtë katastrofë, ndaj dhe nëse një epidemi del jashtë kontrollit, ajo del vetëm për shkak të paaftësisë njerëzore sesa zemërimit hyjnor ”.

Këto janë të shkruara në librin që iu përmenda më lart. Dhe unë mendoj se këto fjalë janë të vërteta edhe sot, vazhdon ai. Ajo që ne po shohim në të gjithë botën tani nuk është një katastrofë natyrore e pashmangshme por thjesht një dështim i historisë së njerëzimit. Qeveri të papërgjegjshme lanë pas dore sistemin e tyre të kujdesit shëndetësor. Ato nuk arritën të reagojnë në kohë, dhe aktualisht nuk po arrijnë të bashkëpunojnë në mënyrë efektive në një nivel global. Ne kemi fuqinë ta ndalojmë këtë, por deri më tani na mungon mençuria e nevojshme. Pyetjes se nëse Kina e bazon suksesin e saj të kontrollit të epidemisë, duke bllokuar kryesisht përhapjen e brendshme dhe mos ndoshta regjimet autoritare, janë të pajisura më mirë për t’u marrë me pandemitë sesa demokracitë perëndimore, historiani i njohur i përgjigjet kështu: Jo domosdoshmërisht. Është më e lehtë të kontrollosh një epidemi, thotë ai, nëse mund të mbështetesh te një popullatë e vetëmotivuar dhe e informuar mirë sesa nëse duhet të patrullosh një popullatë injorante dhe të dyshimtë. A mund të bëni që miliona njerëz të lajnë duart me sapun çdo ditë duke vendosur policë apo kamera në tualetet e tyre? Është shumë e vështirë. Por vetëm nëse i edukoni njerëzit dhe nëse njerëzit besojnë në informacionet që marrin, ata mund të bëjnë gjënë e duhur me inisiativën e tyre. Kam mësuar në shkollë se viruset dhe bakteret shkaktojnë sëmundje. Mësova se larja e duarve të mia me sapun mund të largojë ose të vrasë këta patogjenë. Unë i besoj këtij informacioni. Kështu që unë i laj duart e mia me vullnetin tim.

Dhe kështu bëjnë edhe miliarda njerëz të tjerë. Problemi është se vitet e fundit, politikanët populistë në shumë vende – përfshirë vendet demokratike – kanë minuar qëllimisht besimin e njerëzve në shkencë, në media dhe në autoritetet publike. Pa një besim të tillë, njerëzit nuk janë të sigurt se çfarë të bëjnë. Nuk është zgjidhja të imponosh një regjim autoritar. Zgjidhja është të rindërtosh besimin në shkencë, në media dhe në autoritetet publike. Pasi të jetë fituar një besim i tillë, mund t’i kërkoni njerëzve që të bëjnë gjërat e duhura edhe pa mbikëqyrje të vazhdueshme apo dhe frikë nga ndëshkimi. Sa i përket pyetjes si mundet që pandemitë globale të nxisin zbulimin e të dhënave biometrike, autori i Sapiens e pranon se ky është një rrezik i madh. Epidemia e koronavirusit mund të shënojë një cast vendimtar në historinë e këtij kontrolli. Së pari, sepse mund të legjitimojë dhe normalizojë vendosjen e mjeteve të mbikëqyrjes masive në vendet që deri më tani i kanë refuzuar ato. Së dyti, dhe madje më e rëndësishmja, është se ajo nënkupton një tranzicion dramatik nga mbikëqyrja “mbi lëkurë” në atë “nën lëkurë”. Ai lloj informacioni biometrik mund t’i tregojë qeverisë shumë më tepër për ju se kurrë më parë. Imagjinoni një shtet totalitar në 10 vjet që kërkon që çdo qytetar të veshë një byzylyk biometrik që ju monitoron 24 orë në ditë. Nëse dëgjoni një fjalim të Udhëheqësit të Madh në Televizion dhe sensorët biometrikë marrin shenjat e tregimit të zemërimit (presioni më i lartë i gjakut, ngritja e lehtë e temperaturës së trupit, etj.), pritet të keni probleme të mëdha. Ju mund të buzëqeshni dhe të shtrëngoni duart mekanikisht, por nëse jeni të zemëruar në të vërtetë, regjimi beson në këto të dhëna sensibile që iu shpjegova më lart. Një betejë e madhe pritet të vërshojë mbi ruajtjen e të dhëna tona personale. Kur njerëzve do t’u jepet një zgjedhje midis intimitetit dhe shëndetit, ata zakonisht do të zgjedhin shëndetin. Por kërkesa e njerëzve për të zgjedhur midis intimitetit dhe shëndetit është, në të vërtetë, vetë rrënja e problemit. Kjo është një dikotomi false. Ne mund dhe duhet të gëzojmë si intimitetin ashtu edhe shëndetin. Ne mund të zgjedhim të mbrojmë shëndetin tonë dhe të ndalojmë epideminë e koronavirusit jo duke krijuar regjime të mbikëqyrjes totalitare, por më tepër duke edukuar dhe fuqizuar qytetarët.

Ndërsa për një tjetër cështje, p.sh., përse në disa vende, si SH.B.A dhe në Europë, masat u morën aq ngadalë edhe pse kishin muaj për t’u përgatitur, Harari përgjigjet se e rëndësishme është të kuptojmë se në gjithë këtë epidemi që na ra të jemi të gjithë së bashku. Kjo nuk është një krizë kineze apo një krizë italiane, është një krizë globale. Njerëzit në të gjithë botën ndajnë të njëjtat përvoja, frikë dhe interesa. Nga këndvështrimi i virusit, ne të gjithë jemi të ngjashëm, të gjithë jemi viktima të tij. Prandaj kemi nevojë për një plan global për të luftuar këtë epidemi. Pyetjes se a mundet që kjo pandemi të shtyjë vendet të rivlerësojnë globalizimin dhe të instalojnë më shumë barriera në drejtim të kufijve, tregtisë dhe kulturës, Harari e ka një përgjigje. Ai thotë se disa njerëz me të vërtetë fajësojnë epideminë e koronavirusit mbi globalizimin dhe thonë se për të parandaluar më shumë shpërthime të tilla, duhet të de-globalizojmë botën. Por kjo ide, është tërësisht një gabim. Epidemitë u përhapën shumë përpara epokës së globalizmit. Në mesjetë, viruset udhëtonin me shpejtësinë e një kati dhe në shumicën e vendeve mund të infektonin vetëm qytete të vogla dhe fshatra. Megjithatë, epidemi si “Murtaja e Zezë” ishin shumë më vdekjeprurëse sesa sot. Nëse doni të mbroni veten nga epidemitë me izolim, do të duhet të ktheheni përsëri në epokën e Gurit. Kjo ishte hera e fundit kur njerëzit ishin të lirë nga epidemitë, sepse në atë kohë kishte shumë pak njerëz, me shumë pak lidhje. Antidoti i vërtetë i epidemive nuk është izolimi dhe ndarja, është informacioni dhe bashkëpunimi. Avantazhi i madh i njerëzve ndaj viruseve është aftësia për të bashkëpunuar në mënyrë efektive. Një koronavirus në Kinë dhe një koronavirus në SHBA nuk mund të këmbejnë sugjerime se si të infektojnë njerëzit. Por Kina mund t’i mësojë SHBA-së shumë mësime të vlefshme në lidhje me koronavirusin dhe si ta trajtojë atë. Më shumë se kaq, Kina në të vërtetë mund të dërgojë ekspertë dhe pajisje për të ndihmuar direkt SHBA-të. Viruset nuk mund të bëjnë një gjë të tillë. Fatkeqësisht, për shkak të mungesës së një lidershipi, ne nuk po shfrytëzojmë maksimumin e aftësisë sonë për të bashkëpunuar. Gjatë viteve të fundit, politikanë të papërgjegjshëm në pjesë të ndryshme të botës kanë minuar qëllimisht besimin në bashkëpunimin ndërkombëtar. Tani po paguajmë çmimin për këtë. Shpresojmë se së shpejti do të shohim bashkëpunim më shumë dhe më të mirë të paktën në pesë fushat e mëposhtme. Të pashmangshme për ta vënë poshtë këtë pandemi janë këto mësime:

1. Ndani informacion të besueshëm. Vendet që kanë provuar tashmë epideminë duhet të mësojnë vendet e tjera në lidhje me të. Të dhënat nga e gjithë bota duhet të shpërndahen hapur dhe shpejt në përpjekjen për të përmirësuar epideminë dhe për të zhvilluar ilaçe dhe vaksina.
2. Koordinoni prodhimin global dhe shpërndarjen e drejtë të pajisjeve thelbësore mjekësore si pajisjet e testimit, pajisjet mbrojtëse dhe makinat e frymëmarrjes. Koordinimi global mund të kapërcejë pengesat në prodhim dhe mund të sigurohet që pajisjet të shkojnë në vendet që u duhen më shumë, sesa në vendet më të pasura.
3. Vendet me më pak prekje duhet të dërgojnë mjekë, infermierë dhe ekspertë në vendet me prekje më të dobët, si për t’i ndihmuar ata dhe për të fituar përvojë të vlefshme. Qendra e epidemisë vazhdon të ndryshojë. Më parë ishte Kina, tani është Evropa, mbase muajin tjetër do të jenë SHBA dhe më vonë Brazili. Nëse sot Brazili dërgon ndihmë në Itali, ndoshta përgjatë dy muajve kur Italia të rikuperohet dhe Brazili të jetë në krizë, Italia do t’ia shlyejë këtë nder.
4. Krijoni një rrjet global të sigurisë ekonomike për të shpëtuar vendet dhe sektorët e goditur më keq. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për vendet e varfëra. Vendet e pasura si SH.B.A., Japonia dhe Gjermania do të kenë stabilitet. Por, pasi epidemia të përhapet deri në vendet e Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Amerikës së Jugut, ajo mund t’i çojë këto vende drejt kolapsit të plotë ekonomik, vetëm nëse është hartuar ndonjë plan global veprimi.
5. Formuloni një marrëveshje globale për kontrollin paraprak të udhëtarëve që do të parandalojë kalimin e paligjshëm të një numri udhëtarësh të pakontrolluar përtej kufijve. Nëse vendi i origjinës i fsheh me kujdes udhëtarët përpara se të hipin në një aeroplan, vendi i destinacionit duhet të ndjehet i sigurt për t’i lejuar ata të hyjnë brenda.

Përgatiti në shqip: Monika Stafa

Top Channel