Rritja e rasteve të koronavirusit në Spanjën e goditur rëndë duket se po ngadalësohet- thotë ministri i jashtëm spanjoll në një intervistë për BBC.

6400 raste të reja u konfirmuan të hënën, rritja më e ulët e rasteve të reja për një javë. Në total, viktimat kanë shkuar në 7340 pas 812 viktimave të 24 orëve të fundit. E gjithë kjo vjen ndërsa masat e izolimit janë shtyrë dhe punonjësit jo të domosdoshëm do të qëndrojnë në shtëpi edhe për dy javë. Shifrat më të fundit kombëtare të Spanjës, tregojnë se një rritje e rasteve është sheshuar – tha ministri i jashtëm Arancha Gonzalez.

Zyrtarët spanjollë shpresojnë se kulmi i epidemisë po afrohet e pas kësaj, rastet e reja dhe viktimat do të vijnë në ulje. Katalonja, rajoni Bask dhe kryeqyteti Madrid janë zonat më të prekura. Të hënën, një minutë heshtje u mbajt në Madrid, në mesditë, në nder të viktimave të virusit.

Në pjesën tjetër të Evropës ndërkohë, Gjermania ka evituar deri më tani një bilanc tragjik në përmasat e Spanjës apo Italisë por raportoi të hënën një rritje të numrit të rasteve, 4751, duke e çuar totalin në 57 mijë. Vendi ka raportuar 541 viktima, një numër ky i ulët në krahasim me vendet e tjera, kjo edhe për shkak të testimeve të shumta që regjistrojnë edhe rastet me simptoma të lehta, ndryshe nga shumë vende të tjera. Sistemi gjerman shëndetësor po ashtu është i gjerë, çka do të thotë se mund t’ia dalë relativisht mbanë një numri të lartë pacientësh.

Të tjerë pacientë francezë janë dërguar ndërkohë nga Strasburgu në spitalet gjermane, me helikopter të hënën. Moska në anën tjetër ka vendosur në karantinë 12 milionë banorët e saj ndërsa qeveria ruse po përpiqet të përmbysë trendin e epidemisë. Në Austri, ndërkohë, blerësve tani u kërkohet të mbajnë maska brenda dyqaneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA