Një nga rrjetet më të mëdha të kumarit në Britani ka njoftuar se prej bllokadës së koronavirusit lojtarët kanë kaluar nga bastet sportive në zgjedhjet e rrezikshme të kazinove online.
Në raportin e saj për tregjet e aksioneve, kompania 888 Holdings tha se është prekur nga anullimi ose shtyrja e eventeve sportive si ndeshjet e futbollit të Premier League apo garat me kuaj të Grand National, duke reduktuar të ardhurat e tyre nga bastet sportive.
Por ata shtojnë se lojtarët kanë ‘emigruar’ në produkte alternative bixhozi.
“Ka prova për një rritje të aktivitetit të klientëve në grupet e kazinove dhe produktet e pokerit, që me sa duket po kompensojnë për trazirat e basteve sportive,” thuhet në raport.
Një grup deputetësh britanikë të disa partive, kanë kërkuar kësaj jave nga kompanitë të vendoset një tavan prej 50 paundë bastesh ditore, mes shqetësimit se njerëzit më të pasigurtë dhe të varurit nga bixhozi dëmtohen rëndë gjatë periudhës së bllokadës prej epidemisë. Por deri tani kërkesa nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Sipas statistikave bastet sportive online kanë një masë varësie prej 2.5% ndërsa kazinotë online kanë një masë shumë më të lartë të varurish me probleme kumari, që arrin në 9.2% sipas kompanive.
Kompania 888 tha se po punonte vazhdimisht që të dallonte shenja varësie apo bixhozi problematik te klientët e saj.
“Bordi ynë e pranon se teksa njerëzit shpenzojnë më shumë kohë në shtëpi, dhe me rritjen e stresit prej pasigurisë ekonomike, duhet të jemi më vigjilentë për kumarin e sigurtë dhe parandalimin e dëmeve të lidhura me lojën,” thuhej në raportin e kompanisë së bixhozit për aksionerët.
Top Channel