Top Story u fokusua sonte dhe tek një moment delikat, që lidhet me krizën ekonomike që sjell Covid -19. Sot, me rëndësi është jeta e njeriut dhe shumica e masave kufizuese përligjen, por, shumë shpejt do të ndihen pasojat e rënda ekonomike.

Italia, i cila është vendi që po kalon situatën më të rëndë nga Coronavirus, është njëkohësisht partneri kryesor tregtar i Shqipërisë. Mjafton të themi që shuma e shkëmbimeve tregtare eksport-import mes dy vendeve shkon në plot 8 miliardë euro në vit, për të kuptuar pasojat e rënda ekonomike.
Qarkullimi qytetarëve mes vendeve është ndalur dhe në këtë drejtim, impakti do të ndihet te kompanitë e transportit të udhëtarëve dhe agjencitë turistike. Aktualisht, shkëmbimet tregtare vijojnë në mënyrë të pandërprerë, duke ndjekur udhëzimet e sigurisë. Pavarësisht kësaj, pasojat e para kanë nisur të ndihen. Referuar të dhënave zyrtare, në muajin janar të vitit 2020, eksportet me Italinë kanë rënë me 2.8 Përqind.

Në vlera nominale, kjo përbën një humbje miliona euro për bizneset shqiptare që klientë kryesorë kanë Italinë me gati 48 % të totalit të mallrave të eksportuara. Italia zë vendin e parë edhe për sa i përket importeve në vendin tonë me plot 25.3 % të totalit. Investimet e kompanive italiane, përbëjnë rreth 9 % të totalit të investimeve të huaja në vend. Edhe pse është ende herët për të folur për pasoja, Kryetari i Dhomës së Tregtisë me Italinë Antonio Nidoli, ka dhënë disa propozime konkrete se si dëmet të minimizohen.

“Mund të rezultojnë të dobishme disa masa si pezullim i pagesave të taksave dhe kontributeve të detyrueshme që janë në ngarkim të biznesit dhe punëmarrësit. Përgjysmimi në masën 50% të taksës vendore për godinat që përdoren nga bizneset. Pezullimi, për periudhën fiskale 2020, i taksës për plastikën dhe akcizat, për lëndët djegëse që përdoren në ciklet prodhuese. Shtyrja, për të gjitha bizneset, e afatit për dorëzimin e bilanceve, të paktën deri më datë 31 qershor”, tregon Antonio Nidoli, Kryetar i Dhomës Tregtare me Italinë.

Siç duket, kësaj situate të pazakontë nuk i ka shpëtuar as z. Nidoli i cili është detyruar të lërë Shqipërinë dhe të rikthehet në Itali pranë familjes. Nga banesa, ai ka dhënë këtë mesazh për Top Story. Në propozimet që ai bën për autoritetet shqiptare, bëjnë pjesë edhe disa masa që sipas tij mund të minimizonin pasojat, jo vetëm për bizneset, por edhe për punëtorët që rrezikojnë të humbasin burimin e të ardhurave të mbijetesës.

“T’u lejohet shoqërive, në rast bllokimi të aktivitetit, nxjerrja e të gjithë punonjësve në asistencë sociale, pa qenë e nevojshme të aktivizohet procedura e pushimit nga puna. Kjo do t’i jepte punonjësve mundësinë për të mos humbur vendin e punës dhe në të njëjtën kohë, të mund të marrin një pagë minimale të garantuar që mund të dyfishohet me kontributin e biznesit që i shtohet atij të shtetit. Kjo do t’i jepte mundësinë biznesit të mos humbte forcën punëtore e të mos humbte kapitalin njerëzor”, tregon Antonio Nidoli, Kryetar i Dhomës Tregtare me Italinë.

Nëse eksportet me Italinë e më gjerë pësuan ulje në muajt Janar-Shkurt, ato mund të shkojnë drejt kuotave minimale, deri në bllokim përgjatë Marsit. Kjo, lidhet më së shumti me paralizimin e aktivitetit në disa sektorë. Një prej tyre është edhe sektori i fasonëve ku prodhimi u ndërpre për shkak të frikës së përhapjes së virusit.

Volumi i eksporteve me Italinë shkon në rreth 140 miliardë lekë në vit, dhe 60 % e volumit mbulohet pikërisht nga fasoneria. Shqetësues është fakti se fasoneria, përbën një prej hallkave të ekonomisë me numër të madh të punësuarish në vend, me plot 76 mijë persona. Kryesisht bëhet fjalë për punonjës nga familje në vështirësi të mëdha ekonomike që jetesën e sigurojnë pikërisht nga paga në këto ndërmarrje.
Nëse situata e emergjencës zgjatet në kohë, ata që do ta vuajnë janë pikërisht familjet e varfra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA