Spitalet amerikane përgatiten për virusin COVID-19

14/03/2020 04:46

Megjithë përpjekjet në mbarë botën për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri, COVID-19 është shndërruar tashmë në një pandemi. Ekspertët e shëndetësisë thonë se përhapja brenda komunitetit është duke ndodhur tashmë në Shtetet e Bashkuara dhe se rastet që janë bërë publike janë vetëm maja e ajsbergut. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, njofton se spitalet amerikane presin të përballen me një valë të mundshme infektimi.

Kur COVID-19 shpërtheu për herë të parë në Kinë, ekspertët e sëmundjeve infektive në spitalet amerikane i kushtuan vëmendje. Në Shtetet e Bashkuara, fokusi është tek përgatitja e punonjësve të kujdesit shëndetësor. “Ne po përditësojmë aftësitë dhe njohuritë e stafit mjekësor. Kjo përfshin mënyrën e vendosjes së pajisjeve mbrojtëse personale, si dhe mënyrën e heqjes së tyre, në mënyrë që të mos ndotin veten”, thotë Dr. Robert Wyllie, i Klinikës Cleveland.

Disa spitale kanë dhoma të specializuara për të trajtuar pacientët me sëmundje shumë infektive. Por, a mund të përgatitet vërtet çdo spital për virusin COVID-19? “Kjo është një pyetje shumë e vështirë për t’u përgjigjur sepse me të vërtetë varet nga kërkesa. Nëse ka ca pacientë, sigurisht që po. Nëse vijnë pacientë pafund, nuk ka asnjë spital në botë që është gati për këtë”, thotë dr. Glenn Wortmann, i Qendrës Spitalore MedStar Washington.

Spitalet në shumë vende po inkurajojnë mjekët dhe pacientët t’i zhvillojnë vizitat me Skype ose me telefon.”Kjo është një zgjidhje e shkëlqyer si për sezonin normal të gripit, ashtu edhe për rastet si COVID-19. Pacientët mund të ekzaminohen me shpejtësi, të marrin përgjigje për pyetjet e tyre dhe ne mund t’i marrim në spital pacientët që duhet të jenë në spital, ndërkohë që mund t’i mbajmë të sigurtë pacientët që nuk kanë nevojë të jenë në një spital”, thotë Dr. Stevan Whitt, i Universitetit të Kujdesit Shëndetësor të Misurit.

Idetë e tjera përfshijnë testimin jashtë spitalit në tenda, apo edhe kur njerëzit ndodhen në makinat e tyre.”80 – 85% e pacientëve nuk kanë nevojë të shtrohen në spital dhe mund të qëndrojnë në shtëpi. Kështu që për ata pacientë, kjo do të ishte një ide shumë e mirë. Pra të testohen njëherë dhe të mos kenë nevojë të vijnë në spital”, thotë Dr. Wortmann.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) planifikon t’i lejojë spitalet që të zhvillojnë testimin e tyre. Kjo do ta shkurtojë kohën e marrjes së rezultateve të testit, nga disa ditë në disa orë. Një nga shqetësimet më të mëdha është parandalimi i përhapjes së virusit në radhët e stafit ose pacientëve të tjerë në dhomën e urgjencës.

“Parandalimi i përhapjes së këtij virusi brenda një organizate do të jetë një sfidë. Nuk ekziston një vaksinë, ose një kurë. Do të jetë parandalim i infeksionit sipas metodave të vjetra”, thotë Dr. Wortmann. Në fund të fundit, do të luftohet për të mbajtur mikrobet nën kontroll./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA