I hapet rrugë mundësisë së Putinit për të garuar sërish për president

13/03/2020 13:45

Të gjitha rajonet në Rusi i miratuan amendamentet e reja kushtetuese, duke i hapur rrugë mundësisë që presidenti Vladimir Putin të mbetet në pushtet edhe 16 vjet të tjerë.

“Këshilli i Federatës mori rezultatet e votimit në të 85 parlamentet rajonale. Të gjitha janë pozitive. Këshilli i Federatës do ta shqyrtojë këtë çështje në seancë plenare nesër”, citoi agjencia RIA Novosti Andrei Klishasin, kryetar i Komitetit për Kushtetutën, në kuadër të Dhomës së Lartë të Parlamentit rus.

Rusia ka 83 rajone administrative.

Amendamentet janë miratuar edhe nga legjislaturat në Krime, rajon të cilin Moska e ka aneksuar me forcë nga Ukraina, në vitin 2014.

Shtetet e Bashkuara dhe një shumicë e madhe e vendeve të botës i kundërshtojnë pretendimet e Rusisë ndaj Krimesë dhe e konsiderojnë atë pjesë të Ukrainës.

Mandati aktual i Putinit – i dyti i njëpasnjëshëm gjashtëvjeçar – ka qenë e paraparë të përfundojë në vitin 2024.

Kushtetuta e deritashme ia ka ndaluar të garojë për mandatin e tretë radhazi.

Por, me ndryshimet e fundit, Putin mund të garojë edhe për një mandat më 2024, edhe për një tjetër më 2030.

Ndryshimet kushtetuese janë iniciuar nga Putini në janar.

Ato tani duhet të konfirmohen nga Gjykata Kushtetuese.

Putin, 67-vjeçar, ka qeverisur Rusinë si president ose kryeministër për më shumë se 20 vjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA