Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar kufizime të reja udhëtimi për Evropën në përpjekje për të luftuar përhapjen e koronavirusit.
Por, ai tha se kufizimet e forta por të domosdoshme nuk do të aplikoheshin për Britaninë e Madhe që ka 460 raste të virusit. Një dekret presidencial i lëshuar më pas specifikonte se vetëm udhëtarë nga 26 vende të zonës Shengen do të ndalohen. Kjo e lë numrin e vendeve të tjera kontinentit evropian, përfshirë edhe Shqipërinë, të paprekur.
“Për t’i mbajtur larg rastet e reja që hyjnë në tokën tonë, ne do të pezullojmë të gjitha udhëtimet nga Evropa. Rregullat e reja do të hyjnë në efekt të premten në mesnatë”, u shpreh Trump.
Por, urdhri nuk aplikohet për qytetarët amerikanë. Në të gjithë shtetet e bashkuara ka 1135 raste të konfirmuara me virusin, me 38 viktima deri më tani.
Trump tha se BE ka dështuar të marrë të njëjtat masa parandaluese si SHBA në luftën ndaj virusit. Fillimisht Trump tha se pezullimet e udhëtimeve do të aplikohen edhe ndaj sasisë së madhe të tregtisë dhe ngarkesave që vijnë nga Evropa në SHBA, por më vonë në Twitter tha se tregtia nuk do të prekej. Zyrtarët thonë se rreziku i infektimit është i ulët për publikun e përgjithshëm, por shqetësimi është thelluar pasi një numër i ri rastesh u konfirmua më herët këtë muaj. Përpjekjet për ndalimin e virusit kanë nisur që më herët.
Trupat e gardës kombëtare janë dislokuar në Nju Rochelle në Nju Jork, ku edhe besohet se epidemia e ka origjinën. Ato do të ndajnë ushqime për të gjithë ata që janë në vetizolim. Edhe guvernatori i Uashingtonit ka ndaluar tubimet e mëdha në disa vende. Shteti veri perëndimor është në qendër të epidemisë në SHBA, me 24 nga të paktën 38 viktima në të gjithë vendin. Drejtori i Institutit Kombëtar të sëmundjeve alergjike dhe infektive, Antoni Fauci, tha në kongres se situata vetëm do të përkeqësohej dhe se gjithçka varej nga aftësia për të mbajtur nën kontroll të infektuarit. Kostot e larta mjekësore e bëjnë virusin veçanërisht problematik. Shumë amerikanë evitojnë vizitat tek mjeku pikërisht për shkak të pagesave të papërballueshme.
Top Channel