Ish-pengu izraelit rrëfen tmerrin në Gaza, pretendon abuzime seksuale dhe tortura gjatë 739 ditëve në robëri

19/06/2026 07:53

Akuza të rënda për abuzim seksual, tortura dhe trajtim degradues gjatë robërisë së tij në Gaza ka bërë ish-pengu izraelit Guy Gilboa Dalal, i cili u mbajt për 739 ditë pasi u rrëmbye nga festivali muzikor Nova më 7 tetor 2023.

Në një intervistë me Zonjën e Parë të Izraelit, Michal Herzog, 24-vjeçari përshkroi me detaje incidentet që pretendon se ka përjetuar në tunelet nëntokësore të Gazës. Sipas dëshmisë së tij, një nga rojet e Hamasit e çoi në një dhomë të izoluar, i lidhi sytë dhe e detyroi të zhvishej nën kërcënimin e një thike, përpara se t’i nënshtrohej akteve që ai i cilëson si abuzim seksual.

Dalal tregoi se pas incidentit u kërcënua vazhdimisht me vdekje nëse do të fliste për atë që kishte ndodhur. Ai pretendon se roja i vendosi fillimisht një thikë në fyt dhe më pas një armë në kokë për ta detyruar të heshtte.

Ish-pengu përshkroi edhe një episod të dytë, të cilin e cilësoi edhe më traumatik, ku një dush i zakonshëm, sipas tij, u shndërrua në një tjetër sulm seksual. “Çdo sekondë më dukej si një jetë e tërë”, tha ai, duke shtuar se gjatë ngjarjes ndihej sikur ishte shkëputur mendërisht nga realiteti.

Përveç abuzimeve seksuale, Dalal deklaroi se është përballur me rrahje të vazhdueshme dhe poshtërime. Ai tregoi se në një rast një tjetër peng, Omer Wenkert, u detyrua nga roja të ecte në të katër këmbët dhe të lehte si qen, ndërsa më pas të dy u rrahën.

Guy Gilboa Dalal u lirua më 13 tetor 2025. Sipas familjes së tij, pas kthimit në Izrael ai u diagnostikua me infeksione, humbje të dëgjimit në njërin vesh dhe probleme të rënda të lëkurës, ndërsa po ndjek terapi psikologjike për të përballuar traumën e përjetuar.

Duke folur për mediat izraelite, ai tha se qëllimi i abuzimeve ishte “t’i shkatërronin dinjitetin”. “U ktheva nga takimi me djallin”, deklaroi ai.

Dëshmia e tij i shtohet pretendimeve të tjera të ish-pengjeve izraelite, të cilët kanë raportuar raste të dhunës seksuale, rrahjeve dhe kërcënimeve gjatë robërisë në Gaza. Megjithatë, Hamasi i ka mohuar vazhdimisht akuza të tilla, duke i cilësuar ato si “pretendime të rreme dhe të pabaza”.

Dëshmia e Dalal vjen pak ditë pasi raporti vjetor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për dhunën seksuale në konfliktet e armatosura theksoi se pretendimet për abuzime seksuale ndaj pengjeve izraelite nuk kanë mundur të verifikohen me provat e disponueshme.

Top Channel