Pakësohen bimët medicinale/ Mblidhen pa kriter në Gjirokastër

01/03/2020 12:16

Sherebela , një prej bimëve më të rëndësishme medicinale në Sarandë, Delvinë e Gjirokastër është duke reduktuar cdo vit sipërfaqen e saj prej vjeljes shkatërrimtare, shkuljes me rrënjë, bagëtive dhe zjarrit.

Edhe çaji i malit i njohur me emrin shkencor Sideritis Syriaca që është në Shqipëri pjesë e librit të kuq të bimëve për shkak të kërcënimit me zhdukje po vuan të njëjtat pasoja pavarësisht se grumbullimi i tij ndalohet me ligj.

Ekspertët prej vitesh kanë folur për grumbulluesit e dhunshëm dhe për kompani grumbulluese të lëna jashtë mbikqyrjes. Këto kompani për vite me radhë kanë pranuar të mbledhin bimë para stadit të pjekjes duke e zgjatur sezonin e grumbullimit në mënyrë të rrezikshme.

Të gjithë faktorët së bashku kanë dëmtuar më shumë se 60% të sipërfaqes së dikurshme natyrale të çajit të malit dhe të sherebelës.

Gjirokastra, Saranda dhe Delvina janë mes prodhuesve kryesorë të të dy bimëve në vend. Sherbela e lidhur shumë me kulturën dhe jetën lokale të banorëve shëron mbi 40 sëmundje ndërsa çaji i malit përdoret gjerësisht për vetitë antioksidante, forcimin e kockave dhe grumbullohet edhe në funksion të industrisë kozmetike.

Top Channel