Vendet anëtare të marrëveshjes bërthamore me Iranin do të takohen të mërkurën në Vjenë, për herë të parë prej kur Gjermania, Franca dhe Britania kanë nisur procedura që mund të rezultojnë me sanksione të Kombeve të Bashkuara ndaj Teheranit.
Ky takim zhvillohet në kohën kur vendet nënshkruese të marrëveshjes synojnë të ruajnë zbatimin e kësaj pajtueshmërie të arritur më 2015, pasi situata ka ndryshuar prej kur presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr më 2018 nga ky pakt dhe ka rivendosur sanksionet ndaj Iranit.
Pjesë e takimit do të jenë zyrtarë të lartë nga Irani, Britania, Franca, Gjermania, Kina, Rusia dhe Bashkimi Evropian.
Këto vende janë zotuar se do ta zbatojnë marrëveshjen edhe pa Uashingtonin, e cila parasheh ngadalësim në zhvillimin e programit bërthamor, në këmbim të lirimit nga sanksionet.
Megjithatë, prej kur janë larguar Shtetet e Bashkuara nga kjo marrëveshje, Irani ka shtuar përpjekjet për zhvillim të këtij programi, si përgjigje ndaj fushatës së Uashingtonit me “presion maksimal”.
“Kjo është mundësi, ndonëse jo 100 për qind për t’i dhënë fund përshkallëzimit para se të bëhet shumë vonë’, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, sipas ambasadës ruse në Vjenë.
Irani ka shkelur disa pika të marëveshjes, duke rritur kapacitetet për pasurim të uraniumit dhe tejkalimin e rezervave për ujin e rëndë, çka ka shtyrë tri shtetet evropiane, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë të nisin procedura për ndëshkim të Teheranit për moszbatim të marrëveshjes.
Procesi i rikthimit të sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit duhet shqyrtohet edhe në Këshillin e Sigurimit të kësaj Organizate, para se vendimi të nisë së zbatuari.
Top Channel