“Air Albania” këtë të premte do të presë derbin e kryeqytetit mes Tiranës e Partizanit, ku veç 90 minutëshit, interes ka për shumë faktorë të tjerë që rrethojnë këtë ndeshje.
Interesimi i tifozëve, spektakli, media por mbi të gjitha siguria. Për të gjitha këto detaje ka folur menaxheri i skuadrës Mario Nikolli që nuk u kursye të fliste dhe për shifra.
“Mario, si do të procedohet me tifozët? Në derbin e kaluar policia u kujdes të ndante ata që në rrugën që do të bënin drejt stadiumit, si do të jetë këtë herë?’’
“Në fakt sot është zhvilluar një takim mes drejtuesve të klubit dhe kompanisë së biletave dhe kompanisë privatë të sigurisë pikërisht për të folur rreth kësaj çështje. Pjesa e stadiumit nga ana e qytetit do t’i përkase tifozerisë sonë, ndërsa pjesa nga tribuna qendrore dhe ajo nga ana e liqenit i takon tifozerisë mike. Do të ketë rreth 250 forca të sigurisë private por mendoj se nuk do mungojnë forca as nga policia e shtetit për mbarëvajtjen e ndeshjes’’, shprehet Mario Nikolli, menaxher i KF Tirana.
Vëmendje vjedh dhe 15 minutëshi i pushimit në “Air Albania”, ku Tirana ka bërë zakon t’i dhurojë një shfaqje tifozerisë. Mario Nikolli flet gjithashtu dhe për interesimin e mediave, të ftuarve VIP dhe tifozëve.
“I ftuari special këtë herë do të jetë këngëtari Majk. Është herët për të folur për triubnën vip pasi ka kohë edhe tre ditë për këtë pjesë, megjithatë mund të them se ka pasur interes të madh nga media të huaja. Rreth 20 akreditime mediash evropiane nga Gjermania, Austria, Polonia dhe Italia kanë marrë përgjigje pozitive nga klubi ynë dhe na vjen keq që nuk I përgjigjemi dot gjithë interesimit të mediave shqiptare. Sot që flasim janë shitur rreth 7.000 bileta’’, përfundon Nikolli.
Top Channel