Mbi 25 tonë mbetje të paligjshme, që më saktë janë (pajisje elektrike dhe elektronike), të gatshme për t’u dërguar në Shqipëri, janë bllokuar dhe sekuestruar në portin e Ankonës nga stafi i Agjencisë Doganore dhe Carabinieri del Noe, raportojnë mediat italiane.
Konfiskimet u kryen në dy kohë të ndryshme në shkurt, si pjesë e kontrolleve të shpeshta të mbeturinave dhe mallrave të eksportit. Rasti i parë ka të bëjë me ngarkesën e dyshuar të një gjysmërimorkio, të kontrolluar në 4 shkurt, që përmbante pajisje elektrike pa dokumentacionin e kërkuar dhe për këtë arsye klasifikohet si mbetje.
Mbetjet në fjalë përbëheshin nga një kabinë për sistemin e kondicionimit industrial me motorët e tij, transformatorët e rrymës industriale, fletët e ventilimit, konvektorët dhe mbeturinat e tjera elektrike. Transporti ishte gati të dërgohej në Shqipëri. Në përfundim të kontrolleve, u raportua një person përgjegjës për menaxhimin e paautorizuar të mbeturinave të veçanta të rrezikshme dhe jo të rrezikshme.
Në mënyrë të ngjashme, më 14 shkurt, u sekuestrua një kamion plot me lavatriçe dhe furra që ishin jashtë funskionit, të gjitha pa certifikatat funksionale të kërkuara dhe dokumentacionin që vërteton origjinën.
Gjithashtu në këtë rast ngarkesa ishte destinuar për Shqipërinë.
Top Channel