Vazhdon të mbetet e paqartë se si e dyshuara zyrtare e policisë, Valdete Bllaca arriti ta sigurojë armën zyrtare për ta kryer vrasjen e shumëfishtë në familje.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se arma me të cilin është kryer krimin ka qenë në emër të Bllacës por që i ishte marrë me 7 korrik 2017 pas rekomandimeve të psikologut të Policisë mbi bazën e raportit mjekësor në të cilin rezultonte se Bllaca kishte probleme psiqike.
Policia shton se arma ka qenë duke u ruajtur në stacionin policor ku ajo ka shërbyer por se si ka arritur ta marrë atë është duke u hetuar nga Inspektorati i Policisë.
Zyrtarja policore V. B., e cila dyshohet se është përfshirë në rast, ka qenë duke punuar në Stacionin Policor të Gjilanit dhe që nga 07.07.2017 (pas rekomandimit të psikologut të Policisë së Kosovës i është marrë arma zyrtare dhe është caktuar në punë të lehta), ky vendim është rikonfirmuar më pas edhe nga klinika përkatëse pas kontrolleve shëndetësore psikologjike të mbajtura me 16.10.2019 për shkaqe shëndetësore, e njëjta ka qenë me detyra të lehtësuara kryesisht me punë administrative, ku bazuar në rekomandimet dhe procedurat e parapara të njëjtës i ishte marrë arma zyrtare. Arma e saj ka qenë duke u ruajtur në stacionin policor ku zyrtarja ka shërbyer. Mënyra si ajo ka ardhur deri tek arma është duke u hetuar nga IPK-ja. Si pjesë e procedurës hetimore është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes me ç’rast janë marrë gjurmët dhe dëshmitë relevante për procedurë të ekzaminimit të mëtejmë, përfshirë edhe armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.
Që nga viti 2016 deri në fund të 2019-ës, Bllaca ishte trajtuar përmes 20 seancave të ndryshme dëgjimorë këshilluese nga i ishte caktuar diagnoza dhe terapia adekuate nga komisioni mjekësor.
Megjithatë, policja në fjalë nuk është e vetmja që kishte telashe me shëndetin.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka bërë të ditur se janë mbi 100 policë, të cilët kanë sëmundje shëndetësore, përfshirë ato psiqike.
Pas këtij rasti, janë paralajmëruar ndryshime në zinxhirin komandues të Policisë.
Pas ngjarjes me rekomandim të Inspektoratit Policor, Policia ka suspenduar nga puna komandantin e stacionit policor në Gjilan, Alban Ramushi, zëvendës komandantin, Naser Rrahmani, shefin e operativës së stacionit policor, Negovan Mihajloviq dhe një zyrtar të stafit civil në afat prej 72 orësh.
Prokuroria njoftoi se ngjarja kishte ndodhur rreth orës 13 të ditës së martë, dhe Bllaca fillimisht kishte shtënë në drejtim të prindërve, më pas tek dy vëllezërit e në fund kishte kryer vetëvrasje.
Prokuroria ende është duke vazhduar hetimet lidhur me motivet e krimit.
Top Channel