Arsenal armësh në banesë/ Arrestohet 21-vjeçari në Shkodër, sekuestrohet automatik, pushkë dhe municion

16/07/2026 08:59

Një 21-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Shkodrës, pasi në banesën e tij u gjetën katër armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme municioni.

Arrestimi u bë në kuadër të operacionit të koduar “Kalibri”, i zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Në pranga u vu shtetasi R. M., 21 vjeç, banues në fshatin Trush.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, efektivët e policisë sekuestruan një automatik, një pushkë, dy armë gjahu, si dhe një sasi të konsiderueshme municioni.

Të gjitha armët janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, me qëllim verifikimin nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila po vijon hetimet për rastin.

Top Channel