Ministri i Shëndetësisë dhe mjekët e Klinikës Infektive në QKUK, kanë njoftuar se një pacient është duke u trajtuar në Klinikën Infektive nën dyshimin se mund të jetë prekur nga koronavirusi.

Në konferencën urgjente të mbajtur sonte në Klinikën Infektive, ministri Arben Vitia ka pohuar se bëhet fjalë për një shtetase të huaj, e cila punon në Kosovë, e cila dyshohet se mund te jetë infektuar në një qendër skijimi.

“Bëhet fjale për një shtetase të huaj, e cila punon në Kosovë, e cila ka qenë në një qendër skijimi, e në atë qendër kanë qenë edhe pesë persona të tjerë të infektuar. Dhe pasi ka dëgjuar se kanë qenë pesë persona të infektuar dhe pas disa simptomave, me një kollë e lehtë, por pa temperaturë dhe simptoma tjera, është alarmuar dhe ka ardhur diku pas orës 17:00 n ë Klinikën Infektive për të bërë kontroll. Rezultatet jemi duke i pritur… Është marrë mostra dhe pritet diku rreth orës 11:00 ose dhe 12:00, në mesnatë që të del rezultati. Sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë rezultat pozitiv, edhe pse jemi duke i pritur nuk ka nevojë për asnjë panik”, tha Vitia.

Ai po ashtu njoftoi se pacientja është nga Britania e Madhe.

Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha ka thënë se pacientja është izoluar dhe janë duke u pritur rezultatet nga Instituti Kombëtar.

“Rreth orës 17:00 është pranuar një rast, e cila nuk ka pasur ankesa, një lodhje dhe një kollë para tre dite, pa temperaturë dhe pa manifestime tjera klinike… Është bërë izolimi i pacientes për shkak të sigurisë, deri në marrjen e rezultateve nga Instituti Kombëtar dhe të shohim për ecurinë e më tejshme”, tha ajo.

Kurse Dr. Naser Ramadani ka njoftuar se shumë shpejt do të dalin rezultatet nga Laboratori i Instituti Kombëtar dhe analizat bëhen si në çdo shtet tjetër evropian, pasi Kosova është ndër shtet e para që ka siguruar materialin e nevojshëm shëndetësor për të diagnostikuar koronavirusin.

“Duke pasur parasysh se mostrat në Laboratorin e Institutit Kombëtar bëhen me metodat më të sofistikuara dhe se i tërë materiali i nevojshëm, i cili është zbuluar që dy javë për diagnostikim, nuk ka pasur në histori të mjekësisë për këso lloj diagnostikimi, Instituti Kombëtar është i furnizuar si çdo qendër evropiane. Pritet që pas proceduarave laboratorike, diku pas mesnatës, të dal rezultati për pacienten”, tha ai.

Top Channel