Njësoj siç po ndodh me Lucas Paquetan, edhe situata e Kristof Piontek nuk është nga më të mirat te Milani. Polaku u transferua te kuqezinjtë më 23 janar të vitit 2019 për shumën e 30 milionë eurove.
Menjëherë sulmuesi nisi të shënonte në radhët e “Djallit”, duke marrë dhe fanellën me numrin 9, me shpresën se do të shndërrohej në një “bomber” për kuqezinjtë, por deri tani ka shënuar vetëm 4 gola në 18 paraqitje (në këtë sezon) dhe afrimi i Zlatan Ibrahimovicit e ka shndërruar Piatekun në lojtar stoli.
Diçka që vetë polaku nuk e pranon, madje, kur kanë mbetur dhe pak ditë nga fundi i merkatos dimërore, aventura e tij te Milan mund të përfundojë. E konfirmon edhe i ati i sulmuesit, i cili në një intervistë për një televizion polak nuk ngurroi ta shprehte hapur zhgënjimin që djali i tij nuk po luan rregullisht te Milani. Ai u shpreh se Piatek nuk dëshiron të qëndrojë në stol, pasi kërkon të jetë në formë për të qenë gati edhe me kombëtaren polake në “Euro 2020”.
Vetëm pak kohë më parë, Piatek ishte lojtar kryesor te Milani, ndërsa tani e ardhmja e tij është në pikëpyetje, madje nëse paraqitet ndonjë ofertë e mirë, drejtuesit e klubit janë gati të heqin dorë nga sulmuesi polak.
Top Channel