Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla ka reaguar pas denoncimit të Partisë Demokratike se ai shfaqej në një video duke konsumuar kokainë.
“Montazhi që po shfaqin sot është seria e radhës e telenovelës Babale, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi Babalen e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë e do të përballet me gjykatën edhe për këtë rast”, shkruan Alla në facebook.
Reagimi i plotë i Lefter Allës
Është për të ardhur keq kur një parti që ka bërë histori në këtë vend, një parti që pretendon se është alternativë qeverisëse, e redukton aksionin e vet politik në montazhe e transmetime videosh me Babale. Por, është akoma më kriminale kur kjo parti, e koordinon aksionin e vet politik me grupe biznesi e grupe kriminale, që dikur plaçkisnin pasurinë e Bulqizës me bekimin e Partisë Demokratike. Dhe sot, që Bulqizën nuk e drejton më PD dhe atyre ju është prerë rruga e grabitjes, kthehen të gjithë bashkë në montazhierë për të më shantazhuar mua!
Montazhi që po shfaqin sot është seria e radhës e telenovelës Babale, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi Babalen e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë e do të përballet me gjykatën edhe për këtë rast.
Nuk ka shanse që t’ju ecë ky shantazh.
Unë nuk jam në detyrë për të kënaqur orekset e mbushur xhepat e klientëve të PD që për vite me radhë e kthyen Bulqizën në një parajsë për grabitje e ferr për qytetarët. Jam këtu për të punuar për qytetarët e thjeshtë dhe jam krenar që një nga punët më të mira që kam bërë ka qenë largimi i asaj tufe grabitësish që sot montojnë video në SHQUP.
Ndërkohë Partia Demokratike në një reagim të saj thotë se “Lefter Alla është pasqyra ku të gjithë mund të shohin Edi Ramën e kokainës”, ndërsa kërkon shkarkimin e tij të menjëhershëm nga posti i kryebashkiakut.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË
Kandidimi në 30 Qershor nga Edi Rama i individëve me të shkuar kriminale apo personave të lidhur me krimin e organizuar ka qenë strategji e Edi Ramës për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin.
Video shokuese e kryebashkiakut ilegjitim të emëruar nga Edi Rama në Bulqizë, është modeli që ofron ai në qeverisje. Lefter Alla është pasqyra ku të gjithë mund të shohin Edi Ramën e kokainës.
Ai ka jo vetëm përgjegjësinë politike për përzgjedhjen e këtyre individëve, por edhe përgjegjësinë ligjore për shkarkimin e menjëherëshëm nga detyra të Lefter Allës.
Edi Rama i Bulqizës duhet të ndiqet penalisht për moskallëzim krimi ndaj atyre që i kanë siguruar kokainën.
Përdorimi i kokainës në ambiente publike nga Edi Rama i Bulqizës provon, për fat të keq, degradimin e Partisë Socialiste nga një parti politike në një bandë trafikantësh dhe përdoruesish droge. Është kjo arsyeja pse të rinjtë e mirëshkolluar dhe shqiptarët e ndershëm kanë humbur besimin dhe kërkojnë të largohen nga Shqipëria.
Ndarja e politikës nga krimi është emergjencë kombëtare!
Largimi i trafikantëve dhe përdoruesve të drogës nga politika është hapi kyç për t’i hapur rrugë një qeverisje normale në Shqipëri dhe për të kthyer besimin tek të rinjtë se meritokracia dhe jo lidhja me krimin janë mundësia për të bërë karrierë.
Kjo ndodh vetëm me largimin e Edi Ramës, njeriut të kokainës që promovoi bashkëqeverisjen me krimin dhe qëndron në pushtet me mbështetjen e krimit.
Top Channel