Pelerina e parë e Supermenit dhe llulla e Bilbo Bagins, do të dalin në ankand të rrallë të kujtimeve të Hollivudit, javën e ardhshme dhe pritet të mbledhin 100 deri në 200 mijë dollarë.

Objektet skenike nga Supermani i Kristofer Reeve dhe trilogjia e Zotit të Unazave, do të dalin në shitje të hënën, bashkë me rreth 400 tituj të tjerë nga kinemaja në shtëpinë e Ankandece Julien’s në Los Angeles.

Për zëdhënësin e kësaj shtëpie ankandesh, Jason de Bord, bëhet fjalë për një seri të mrekullueshme objektesh.

“Është diçka shumë e rrallë që i ka mbijetuar filmit të parë Supermen, të 1978. Është një film shumë i dashur për të gjithë. Kristofer Reeve ishte i mrekullueshëm, nuk ka patur asnjë Supermen tjetër si ai. Pelerina mund të kapë një vlerë deri në gjysmë milioni dollarë”.

Në anën tjetër, llulla e Bilbo Bagins, e shoqëronte Ian Holmin në “The Fellowship of the Ring,” dhe sipas shtëpisë së ankandeve, është i vetmi shembull nga filmi në duart e koleksionistëve. Bilbo e përdorte llullën për të nxjerrë tym në formë unazash.

Veç tyre në ankand do të jetë edhe koleksioni më i rëndësishëm i Star Trek, sipas organizatorëve që përfshin një xhaketë të veshur nga Kapiteni Kirk në Star Trek II që mund të kapë vlerën e 100 mijë dollarëve. Ndërkohë që të interesuarit mund të gjejnë në ankand edhe kujtime nga filma klasikë si Gone with the Wind, apo nga Jurassic park dhe Forrest Gump.

Top Channel