Besnik Muçi i është drejtuar sot me një letër kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, që të konfirmojë nëse mandati i tij si anëtar i kësaj Gjykate ka përfunduar pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

KPA e shkarkoi nga detyra, por Muçi refuzoi dje të njihte vendimin duke theksuar se procesi i rivlerëismit duhej të ndërpritej pasi humbi statusin e prokurorit me betimin si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Edhe në letrën dërguar sot kryetares Tusha, Muçi shkruan: “Procesi i rivlerësimit i nisur ex-officio në statusin dhe për funksionin e Prokurorit, nuk mund të vazhdonte dhe vendimi i Kolegjit të Apelimit nuk mund të ketë efekt ndaj funksionit dhe mandatit aktual të Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”.

Muçi thekson se do të qëndrojë në detyrën e gjyqtarit deri sa të merret një vendim nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

“Pavarësisht sa më sipër, me qëllim për të ruajtur integritetin tim dhe të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, lidhur me çështjen administrative të ushtrimit të detyrës, jam në pritje të njoftimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për deklarimin ose jo të mbarimit të mandatit tim si Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në përmbushje të detyrimeve të nenit 127 të Kushtetutës dhe nenit 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 në një afat sa më të shpejtë të mundur.

Deri në marrjen e këtij vendimi, ju njoftoj se do të përmbush të gjitha detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore”, shkruan Muçi.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA