Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshjet e fundit eliminatore për Kampionatin Evropian ‘Euro 2020’ në muajin nëntor.

Fillimisht, më 14 nëntor, ‘Dardanët’ udhëtojnë drejt Plzenit ku do të luajnë ndaj Republikës së Çekisë në ndeshjen vendimtare të grupit A.
Pas tre ditës, konkretisht më 17 nëntor, Kosova e pret Anglinë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë për ndeshjen e fundit eliminatore për ‘Euro 2020’.
Kur ka mbetur më pak se një muaj para dy ndeshjeve të fundit në grupin A, biletat ende nuk kanë dalur në shitje.
Megjithatë, zëvendës-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës Arianit Ahmeti ka bërë të ditur se biletat do të dalin në shitje në fillim të muajit të ardhshëm.
“Zakonisht, biletat dalin në shitje një javë apo dhjetë ditë para ndeshjes”, ka thënë fillimisht Ahmeti për Zëri.info.
Më tej, ai ka treguar edhe sa bileta do t’iu takojnë tifozëve anglezë për ndeshjen në ‘Fadil Vokrri’.
“Me rregullat e parapara, tifozëve mysafirë iu takojnë 5% që i bie 630 bileta, ndërkaq 100 bileta falas për kategorinë e parë në perëndim, 20 në tribunën VIP dhe 200 në perëndim me të drejtë të blerjes”, shtoi Ahmeti.
Ndryshe, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar në eliminatoret e Kampionatit Evropian ‘Euro 2020’, Kosova renditet në vendin e tretë me 11 pikë, një pikë më pak se vendi i dytë të cilin e mban Çekia. Marrë nga Zëri.Info

Top Channel