Trupi i liderit të Shtetit Islamik Abu Bakr Al-Baghdadi u varros nga ushtria amerikane në det, raporton AFP.

Siç u tha nga kryetari i Komitetit të Përbashkët të Shtabit, gjenerali amerikan Mark Milley, gjithçka është bërë me kujdes dhe harmoni.

“Largimi i mbetjeve të tij në det është bërë në mënyrën e duhur,” tha ai, duke mos dhënë më shumë detaje.

Më herët mediat raportuan se funerali është bërë në të njëjtën mënyrë si në rastin e Osama Bin Laden.

Duke folur për provat e likuidimit të udhëheqësit të Shtetit Islamik, gjenerali amerikan premtoi të zbulojë foto dhe video të operacionit pas deklasifikimit të tyre.

Ai shtoi se forcat speciale në Idlib kanë arrestuar dy persona që tani janë nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara në një strukturë të mbrojtur. Milley gjithashtu tha që disa materiale ishin kapur, por nuk pranoi të jepte më shumë detaje.

Gjenerali amerikan gjithashtu vuri në dukje se Uashingtoni kishte koordinuar me forcat ushtarake të vendeve të tjera gjatë këtij operacioni.

Më parë, Fox News raportoi se trupi i Al-Baghdadit ishte varrosur në det, transmeton KosovaPress.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi dje se Al-Baghdadi është likuiduar në Siri. Më vonë, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes ruse, gjeneral major Igor Konashenkov tha që Moska nuk ka informacion të besueshëm në lidhje me operacionin ushtarak amerikan për likuidimin e njeriut më të kërkuar në botë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA