Tridhjetë e tre marrëveshje të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të rishikohen. Këtë ka kërkuar Lëvizja Vetëvendosje, e cila pritet të udhëheq ekzekutivin në Kosovë.
Kreu i saj, Albin Kurti, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se fillimisht do të shohin se cilat marrëveshje janë zbatuar dhe sa kanë ndikuar ato në jetën e qytetarëve.
“Së pari duhet ta shohim se çfarë është zbatuar, çfarë jo dhe duhet ta shohim se cila ishte përmasa e ndikimit të atyre marrëveshjeve në jetën e qytetarëve, t’i nxjerrim mësimet e duhura sesi të ecim sigurt përpara”, është shprehur ai.
Kurti thotë se muajt e parë të qeverisjes do të merren me këtë çështje duke mos neglizhuar mësimet pozitive dhe negative të këtij procesi të rëndësishëm për vendin.
“Ky është synimi ynë që në muajin e parë në zyrën e Kryeministrisë, e në qeverinë tonë të përbashkët, të dimë si të ecim duke mos neglizhuar mësimet e se shkuarës“, vazhdon ai.
Që Kosova duhet të rishikojë disa marrëveshje e thotë edhe analisti Armend Muja. Madje, Muja jep edhe rekomandimet se cilat marrëveshje duhet të rishikohen, duke evidentuar këtu marrëveshja për përfaqësim rajonal, të cilën e konsideron të dëmshme për Kosovën.
Ai ka ka përmendur edhe disa nga marrëveshjet që nuk janë zbatuar nga asnjëra palë, sic është ajo e për Energjinë, ajo për rivitalizimin e urës së Ibrit dhe lirinë e lëvizjes përtej urës apo edhe marrëveshja për njohjen e diplomave.
Dialogu teknik Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011, ku të dyja palët kanë arritur 33 marrëveshje për të cilat vazhdimisht ka pasur kritika se nuk janë zbatuar nga pala serbe.
Top Channel