Ministrat e NATO-s takohen në Bruksel në kohën e tensioneve në Siri

25/10/2019 05:36

Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s do të takohen të enjten në Bruksel për negociata, të cilat me shumë gjasë do të mbizotërohen nga deklaratat e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Mark Esper, sipas të cilit operacioni i Turqisë në verilindje të Sirisë ka qenë “i pajustifikueshëm”.

Ofensiva e Turqisë, që është pjesë e NATO-s, ka nxitur kritika nga shumë aleatë, pas shqetësimeve se mund të përcaktojë stabilitetin rajonal dhe të kthejë mbrapa fitoret e arritura kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).

“Turqia na ka vendosur të gjithëve në një situatë të tmerrshme”, ka thënë Esper në një konferencë për media në Bruksel, duke shtuar se Ankaraja është “nisur në drejtim të gabuar”, shkruan REL.

“Ne po shohim se Turqia po afrohet më shumë në orbitën e Rusisë, sesa në orbitën e perëndimit. Mendoj se kjo është fatkeqësi”, ka thënë shefi i Pentagonit para nisjes së takimit.

Aleatët e NATO-s, “duhet të punojnë së bashku për të fuqizuar partneritetin me Turqinë dhe të sigurojmë se ky shtet është aleat i besueshëm dhe i përgjegjëshëm sikurse në të kaluarën”, ka thënë Esper në një sesion pyetje-përgjigje në Bruksel, shkruan REL.

Më 22 tetor, lideri rus, Vladimur Putin dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan kanë arritur pajtueshmëri për një marrëveshje që synon largimin e forcave kurde nga kufiri i Sirisë me Turqinë.

Kjo marrëveshje ka zgjatur armëpushimin për pesë ditë, që është ndërmjetësuar nga Uashingtoni.

Në po të njëjtën ditë, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të tërheqin sanksionet e vendosura ndaj Turqisë, për shkak të operacionit të saj ndaj luftëtarëve të kurdë të cilët Ankaraja i konsideron terroristë.

Operacioni turk ka nisur pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump për të tërhequr trupat amerikane nga ky rajon më herët gjatë këtij muaji.

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë mbështetur forcat kundër qeverisë në Siri për më shumë se tetë vjet në luftën civile në këtë shtet.
Rusia, bashkë me Iranin kanë ofruar ndihmë të madhe për presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Ministrat e NATO-s po ashtu pritet të diskutojnë përkushtimin e aleancës në Afganistan dhe Ukrainë, miratimin e dokumenteve kundër kërcënimeve hibride, rreth sigurisë së gjeneratës së re të komunikimeve (5G) si dhe rritjen e kapaciteteve për përgjigje të shpejta.

Përveç këtij takimi, ministrat e mbrojtjes së vendeve të NATO-s do të diskutojnë edhe në Londër në muajin dhjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA