Banorët e Busavatës së Kamenicës, kanë protestuar sot para Ministrisë së Arsimit ,Shkencës dhe Teknologjisë, kundër reformës së nisur nga kryetari i kësaj komune, Qendron Kastrati për mbylljen e disa shkollave në këtë komunë.
Drejtori i shkollës fillore “Hasan Prishtina”, në Busavatë, Abedin Maliqi tha se si qytetarë do t’i thonë jo mbylljes së shkollës, duke e konsideruar si të padrejtë vendimin e mbylljes së shkollave. Ai kërkoi të kthehen librat e ditarët në shkollat e tyre. Maliqi sqaroi se nuk janë kundër reformës, por jo atyre reformave që çojnë në mbyllje të shkollave.
Kurse, përfaqësuesi i shkollës “7 shtatori”, në Krilevë tha se janë kundër këtij vendimi që çon në mbyllje të dy shkollave që kanë më shumë se 100 nxënës. E përfaqësuesi i prindërve të Busavatës, Feim Maliqi tha se fëmijët nuk janë duke vijuar mësimin. Madje ai deklaroi se policia, për shkak të protestës që kanë mbajtur edhe i kanë arrestuar vetëm pse po kërkojnë të mos mbyllet shkolla.
Protestuesit kanë paralajmëruar protesta deri në vendimin e radhës.
Top Channel