Legjendë në fushën e blertë, në ballë të luftës kundër racizmit në futboll. Ky është Hristo Stoichkov, fitues i Topit të Artë në vitin 1994, futbollisti më i madh i historisë së Bullgarisë. Ishte pranishëm në stadiumin “Vasil Levski” të Sofjes, për ndeshjen Bullgari-Angli, ku u ndje i turpëruar nga koret raciste dhe përshëndetjet naziste të disa ultrasve bullgarë. Gjithçka ndodhi para syve të tij dhe lotët i rrodhën në mënyrë natyrale.
“Këta njerëz duhen hedhur jashtë stadiumeve. Mjaft! E nëse është e nevojshme, le ta përjashtojnë Bullgarinë nga gara, siç ka ndodhur me Anglinë në mesin e viteve ’80 pas tragjedisë “Heysel”.
Stoichkov, çfarë po ndodh në Sofje?
Diçka e pabesueshme. Kur dëgjova buu-të raciste drejtuar anglezëve, vura duart në kokë. Ku po përfundojmë kështu? Bullgaria nuk është kjo, i thashë vetes, duhet të reagojmë. Ne nuk kemi të bëjmë me racistët dhe nazistët. E gjitha kjo është e patolerueshme.
Çfarë sugjeron për të evituar përsëritjen e episodeve të tilla?
Ndërhyrje të ashpër, kjo duhet. Personat përgjegjës duhen arrestuar, u duhet ndaluar hyrja në stadium për gjithë jetën dhe duhen nisur hetimet për atë që ka ndodhur dhe për atë që fshihet pas këtyre sjelljeve.
Nuk është hera e parë që Bullgaria tërheq vëmendjen me problemin e racizmit…
Në ndeshjet me Kosovën dhe ndaj Republikës Çeke pati episode të tilla, por jo kaq egër. Tani, mjaft! Po bëj një propozim: nëse nevojitet, le t’i mbyllim stadiumet dhe t’i luajmë të gjitha ndeshjet pa tifozë. Racizmi duhet zhdukur, si një bimë e sëmurë duhet shkulur me gjithë rrënjë. Kemi hyrë në mijëvjeçarin e tretë, në një shoqëri globale, nuk është e mundur të tolerosh një turp të tillë. Lotët e mi në televizion janë të një burri bullgar, i apasionuar pas futbollit, që me futboll ka ndërtuar jetën e tij. U ndjeva i plagosur, i poshtëruar nga ata tifozë.
Portieri i Bullgarisë, në fakt, e quajti “të zellshme” sjelljen e publikut…
Për çfarë po flasim? Edhe unë jam i bindur se pjesa më e madhe e tifozëve në stadiumin e Sofjes nuk është raciste dhe vetëm një pjesë e vogël është përgjegjëse për koret dhe përshëndetjet naziste, por kjo minorancë duhet luftuar, ndryshe, në pak kohë do të bëhet mazhorancë. Lufta kundër racizmit ka nisur dhe unë jam në ballë të saj. Aty ku ka diskriminim, nuk mund të ketë sport.
Top Channel