Gjykata Supreme e Spanjës dënoi nëntë liderë separatistë të Katalonjës, me burgim duke nisur nga nëntë deri në 13 vjet për rolin e tyre në referendumin e pavarësisë të zhvilluar në 2017-tën.
Veç kësaj, disa prej të akuzuarve u shpallën fajtorë për shpërdorimin e fondeve publike.
Tre ish-politikanë të tjerë morën dënime për mosbindje. Në mes të shtatorit, dy vjet më parë, qindra mijëra katalanas dolën në rrugë për të kërkuar pavarësinë e rajonit të tyre.
Ish kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy ndërhyri asokohe duke shkarkuar qeverinë rajonale dhe e vuri Katalonjën për muaj të tërë nën administrim të imponuar.
Presidenti i atëhershëm rajonal, Carles Puigdemont dhe politikanë të tjerë u larguan për në Belgjikë për t’i shpëtuar arrestimit. Puigdemonti e quajti vendimin e sotëm të Gjykatës një “akt të përbindshëm”.
Ai shkroi në Twitter se : “Ka ardhur koha për të qeverisur… për të ardhmen e bijve dhe bijave tona. Për demokracinë. Për Evropën. Për Katalonjën”.
Në Katalonjë tani ekziston frika e një rishpërthimi të protestave të dhunshme të aktivistëve pro pavarësisë. Atje të dënuarit shihen si të “burgosur politikë”, ndërsa pasardhësi i Puigdemont-it, Quim Torra u shpreh me tone luftarake dhe kërkoi “mobilizim masiv”.
Në aeroportin e Barcelonës, si dhe në stacionet hekurudhore dhe portet në rajon, numri i forcave të sigurisë u rrit ndjeshëm përpara dhënies së vendimit.
Top Channel