Një hajdut 21-vjeçar në Brazil mendoi se preja më e lehtë për t’u grabitur kuletat e celularët ishin pikërisht nënat që ishin duke çuar fëmijët në shkollë.
Ai shkoi te dera e një shkolle dhe i tmerroi prindërit duke u nxjerrë armën në fytyrë e duke u kërkuar gjërat me vlerë.
Një prej prindërve ishte oficere ushtarake, 42-vjeçare dhe nënë e dy fëmijëve, e cila ishte jashtë shërbimit por me armën në çantë.
Ajo nuk ngurroi ta nxjerrë pistoletën dhe ta qëllojë hajdutin me tre plumba, në këmbë e në gjoks, teksa fëmijët vraponin të tmerruar.
Më pas e bllokoi që të mos lëvizte derisa të vinte policia dhe ambulanca, por hajduti vdiq në spital brenda asaj dite.
Videoja u bë virale dhe oficerja ushtarake mori nderime nga guvernatori i zonës. Disa muaj më vonë, kur vendosi të bëhet politikane e të kandidojë në zgjedhje, ajo përdori videon me moton “Unë nuk kam frikë ta luftoj krimin”.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës për përdorimin e vrasjes si material fushate zgjedhore, gruaja mori votën e popullit dhe jo vetëm që sot është politikane, por ishte e shtata kandidate më e suksesshme në shtetin e saj, Sao Paolo.
Top Channel