Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ishte mbrëmë në një lagje periferike të Laçit për të parë nga afër problemet e shkaktuara nga përmbytja e disa shtëpive, si pasojë e çarjes së argjinaturës së një kanali në afërsi të tyre.
Lleshaj vlerësoi angazhimin e institucioneve vendore dhe premtoi se pas kapërcimit të emergjencës, do të kërkohen zgjidhje të qëndrueshme afatgjata për dy probleme të ngjashme që ka qyteti, kanalin në lagjen Sanxhak dhe përroin që kalon përmes qytetit, të cilët shkaktojnë përmbytje herë pas here.
Me këtë rast, Lleshaj u shpreh se “që mbrëmë vonë në këtë argjinaturë këtu në Laç po punohet nga institucionet, prefektura, bashkia, bordi i kullimit për të eliminuar një defekt që u shfaq mbrëmë gjatë natës, i cili ka shkaktuar edhe përmbytjen e një numri të konsiderueshëm familjesh këtu në zonën e Sanxhakut. Shoh një mobilizim shumë të madh të Bashkisë dhe të gjitha institucioneve të tjera për ta eliminuar këtë defekt. Sigurisht që kjo është punë emergjence, e cila meriton të vijohet më tej për ta zgjidhur në kuptimin afatgjatë. Këtu në Laç kemi dy probleme të mëdha; kemi këtë argjinaturë ose kanalin e ujërave të larta, dhe përroin që kalon përmes qytetit. Të dy këto shkaktojnë probleme të vazhdueshme dhe kronike në qytet. Ne do të merremi shumë shpejt për t’i adresuar në themel këto dy çështje, në mënyrë që të zgjidhet një herë e mirë. Pa u zgjidhur këto, ne nuk mund të kemi stabilitet në çështjet e emergjencave civile në Laç”, u shpreh ministri.
Lleshaj më herët bëri një inspektim në zonat përreth lumit të Ishmit, ku paraqiten problematika të ndryshme kryesisht për shkak të përmbytjeve kronike të shkaktuara nga dalja e lumit nga shtrati.
Ministri deklaroi se po planifikohen ndërhyrje për thellimin dhe hapjen e lumit, që të tërheqë ujërat e shirave të mbledhura nga kanalet anësore.
“Ne ishim në zonën e Ishmit ku ka përmbytje të konsiderueshme, që vijnë si pasojë e mosfunksionimit të vetë lumit të Ishmit, i cili për shkak të prurjeve, aluvioneve të mëdha të akumuluara ndër vite, nuk ka më kapacitetin tërheqës dhe shkakton përmbytje. Po mendojmë ndërhyrje, të cilat kanë të bëjnë me thellimin dhe hapjen e lumit në mënyrë që ai të mund të tërheqë ujin e mbledhur nga kanalet anësore, zgjidhje e cila besojmë se do t’i japë një të ardhme më të stabilizuar të gjithë rajonit,” u shpreh Ministri i Brendshëm.
Top Channel