Lindje-Perëndim/ Kriza politike në Itali, si mundi Salvini të dilte aq huq?

08/09/2019 17:36

Pak javë më parë, kryeministri Italian Giuseppe Conte qëndroi në këmbë përpara ligjvënësve italianë për t’iu treguar se tensionet e brendshme në koalicionin qeverisës kishin shpërthyer, e ai nuk kishte se çfarë të fashiste më. Profesori i pavarur i juridikut i propozuar 21 majin e 2018-tës me pëlqimin e partive që do të krijonin më pas koalicionin qeverisës si udheheqësi i këtij ekzekutivi, shfryu të gjithë pakënaqësinë e tij ndaj kreut të Legës, Matteo Salvini.

Conte dha dorëheqjen duke drejtuar gishtin e akuzës nga ish ministri i brendshëm, njëkohësisht edhe ish zëvendëskryeministër, të cilin e etiketoi si “oportunist” dhe si shkaktarin e një krize qeveritare që mund të kishte pasoja serioze për Italinë.

“Do të shkojë, në fund të këtij debati parlamentar në zyrën e Presidentit të republikës për t`i komunikuar dhe kësaj qeverie dhe për të dorëzuar dorëheqjen time si kryeministër”- tha Conte.

Për kreun e qeverisë, fytyra dhe fjalët e të cilit nuk e fshihnin irritimin, Salvini kishte tradhëtuar qytetarët italianë në çastin që i hoqi prizën, siç thotë The Guardian, aleancës së stuhishme me lëvizjen anti-establishment Pesë Yjet. Situata për Conten ishte e qartë, kreu i Legës, ishte i etur të shfrytëzonte popullaritetin në rritje të forcës së tij politike duke nxitur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Ai po sheh vetëm interesat e tij personale dhe ato të partisë së vet. Të thërrasësh votuesit çdo vit, është papërgjegjshmëri. Perspektiva e Salvinit si kryeministër i ardhshëm i vendit, në vetvete, është shqetësuese”- vijoi Conte.

Në këtë mënyrë, me dorëhejqn e tij, Conte shmangu një votë mosbesimi, të cilën Lega po e kërkonte me forcë. Fuqinë për ta shpërbërë parlamentin e për të thirrur zgjedhje të reja e kishte presidenti Sergio Matarella, i cili nuk u nxitua të ndiqte linjën e shumëkërkuar nga partia nacionaliste, pa eksploruar më parë mundësi të tjera. Në vizionin e tij mbase hynte krijimi i një mazhorance të re parlamentare, ose një qeverie teknike.

Trysnia e kohës ishte mjaft e madhe, manovra e Salvinit erdhi në një moment delikat, sepse në fund të shtatorit, Italia duhet të paraqesë draft-buxhetin. E gjithë kjo ishte shumë edhe për vetë vendin apenin të mësuar me ndërrime të shpeshta qeverish, 66 të tilla në 73 vjet. U duk se situata nuk do të kishte zgjidhje tjetër, përveç asaj që Conte të hidhte ujë në mullirin e Salvinit, krijimi i një koalicioni të ri, ngjante shumë i pagjasë.

“Ka shumë mundësi të shkohet në zgjedhje, unë nuk shoh një qeveri tjetër, nuk shoh një shumicë tjetër, edhe pse, ashtu siç ndodh gjithmonë me lojrat, është gjithmonë dikush që përpiqet. Sigurisht, në dorë e ka presidenti Mattarella, por unë nuk shoh mazhorancë alternative”- tha Luigi Contu, Drejtor i agjensisë së lajmeve,Ansa.

Salvini u shfaq sfidues në senat. Ai paraqiti aty probleme më të ngutshme të vendit si lindshmërinë e ulët, e cila ka rënë vërtet në nivele rekord. Vete politika është një faktor me ndikim të rëndësishëm në këtë fenomen. Brezave të rinj u mungon një perspektivë e mirë, një plan i besueshëm për të ardhmen. Sociologia Raffaella Caso, e cituar nga DW, e përmbledh tablonë e tyre të zymtë me këto pak fjalë. “Sot nuk ndihmojnë më të rinjtë të moshuarit, por anasjelltas. Gjyshërit ua kalojnë trashëgiminë në prona apo kursimet nga pensioni nipërve e mbesave të tyre ose u paguajnë atyre qiranë apo kopështin e fëmijëve”.

Salvini premtoi vëmendje ndaj problemeve të tilla dhe ai e nisi që aty fushatën, duke thënë se qeveria e vet potenciale do të mbështeste një buxhet prej 50 miliardë eurosh për vitin e ardhsheëm, e do të përqëndrohej tek ulja e taksave, e drejta e jetës, e rritjes ekonomike, e investimeve.

“Si kryeministër, unë do të fokusohem tek italianët, jo tek Merkeli apo Macroni.. Unë jam krenar, i lirë, dhe nacionalist. Italia do të jetë për fëmijët, që kanë një nënë dhe një baba”- deklaronte Salvini.

Shpresat e Salvinit ishin që lëvizja e tij drastike për tu tërhequr nga koalicioni do të sillte shembjen e menjëhershme të qeverisë, e për rrjedhojë, mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Lideri i partisë së ekstremit të djathtë ishte mbushur plot me shpresa nga zgjedhjet e parlamentit europian në muajin maj, të cilat e katapultuan në vend të parë me 38% të votave të italianëve. Çështja është se në parlament, ajo ishte më e dobët se 5 yjet, që rezultoi partia më numrin më të madh të votave në zgjedhjet e përgithshme të marsit 2018, dukë spostuar poshtë saj Legën dhe Partinë Demokratike të qendrës së majtë.

Salvini u përpoq ta shfrytëzonte katapultimin e popullaritetit që pësoi Lega falë tij gjatë kësaj periudhe. Çështja është se strategjia e tij e kishte një pikë të dobët. Nuk merrte parasysh se i gjithë ky skenar, mund të përmbysej nga një shumicë alternative mes M5S dhe PD.

Në ato momente dukej e pamundur që dy kryerivalët të arrinin të uleshin në tryezën e negociatave. Megjithatë, një sinjal e dërgoi në dhomën e lartë të parlamentit që në ditën e dorëheqjes së Contes ish senatori i PD, Matteo Renzi, i cili nuk e rrëzoi si mundësi, edhe pse u kujdes të ruante “fytyrën”, duke deklaruar se vetë nuk do të kërkonte asnjë post në një qeveri të tillë. E rëndësishme, sipas tij, ishte që të shkonte në shtëpi ajo që e quajti “një prej qeverive më të këqija në historinë e republikës”.

“Eksperimenti populist funksionon mirë gjatë fushatave elektorale, por jo aq dhe aq mirë kur vjen në qeverisje”- deklaronte Matteo Renzi.
Emiliana De Blasio, profesoreshë e shkencave politike në universitetin privat të Romës, LUISS, e parashikoi një qeveri të 5 yjeve me PD. Ka shumë mundësi që ta kemi një koalicion të tillë në muajin shtator, ishte komenti i saj për AFP-në pak ditë pas rrëzimit të kabinetit Conte.

“Nga pikëpamja parlamentare është e arritshme, mund ta kenë një mazhorancë. Shanset nuk janë të pakta përsa i përket negociatave. Politika italiane ka qenë gjithmonë disi më e veçantë, siç e dëshmoi dhe kjo krizë në zemër të gushtit, është mjaft e çuditëshme. Por them se do të kemi një qeveri koalicioni”- ka deklaruar Emiliana De Blasio, profesoreshë e shkencave politike .

Sigurisht, hendeku mes dy partive antagoniste të forta me njëra-tjetrën, ishte i madh. Por kishte dhe pika të përbashkëta. “Kanë dallime të mëdha me njëra-tjetrën, por kanë gjithashtu edhe konvergjenca siç është ajo mbi mbi nevojën për të reduktuar numrin e deputetëve, për çështjet mjedisore, një fushëbetejë e madhe historike kjo për M5S në të kaluarën, por edhe PD-në, si dhe për të ardhurat e qytetarëve, që demokratët kanë deklaruar se nuk do t`i prekin- është shprehur Emiliana De Blasio, profesoreshë e shkencave politike .

Parashikimi i De Blasios rezultoi i saktë. Në 5 shtator, qeveria Conte 2 bëri betimin në presidencën. Pas negociatash të zgjatura, të cilat u zvarritën derisa u arriti konsensusi mbi qëndrimin e Giuseppe Contes në krye të ekzekutivit ashtu siç këmbëngulte M5S, dy partitë pranuan të krijonin një koalicion i cili deri përpara pak kohësh, ishte fare i paimagjinueshëm për italianët.

Salvini këtë e kuptoi vonë. Për të parandaluar një afrim të M5S me PD-në, ai i pati ofruar Lëvizjes Popullore një degë ulliri, duke deklaruar se mund të aprovohej një reforme për shkurtimin e numrit të parlamentarëve, siç donin 5 yjet, përpara se të “shkohej direkt në zgjedhje”. Por lëvizja nuk i funksionoi. Kur koalicioni M5S- PD kapërceu dhe pengesën e fundit, votimin online të anëtarëve të 5 yjeve në të ashtëquajturën platforma “Rousseau” duke farkëtuar kështu pçrfundimisht këtë bashkim të çuditshëm, Salvini u hodh në sulm.

“Dua të shoh emrat e ministrave. Dua të shoh këto fytyrat e reja, këto emrat e mëdhenj, nga PD dhe “5 Yjet”, këta njerëzit që i intereson kaq shumë e ardhmja e Italisë, mirëqenia e italianëve, dhe jo vetëm karriget ministrore, ato idealet e mëdha, jo jo, atyre nuk i interesojnë vetëm karriget e ministrave. Jo, këta nuk kanë për të zgjatur shumë. Ne do të jemi këtu, do të jemi vigjilentë, këtu jashtë parlamentit ku do të jeni ju, do të jem edhe unë”- deklaronte Salvini.

Deri përpara një muaji, lideri i Legës lundronte në ujëra të qeta, i bindur në supremacinë e vet. Pinte mojito e shkrepte selfie pafund në klubin e vet të preferuar në breg të detit Papeete, dhe kishte plot arsye për të festuar. Partia e tij e ekstremit të djathtë po i afrohej 39% në sondazhe.

Tani, është duke lëpirë plagët pasi qeveria u shemb dhe zgjedhje të reja nuk pati, një skenar i tij ky që jo vetëm i devijoi nga shinat planet e Salvinit për tu bërë kryeministër, por i shkuli Legës nga duart pushtetin dhe i kushtoi një rënië të beftë në anketime me të paktën 6 pikë në përqindje. Si mundi të dilte kaq huq?

Duke shkruar për the Guardian, Angela Giuffrida jep këtë shpjegim:

“Salvini është treguar mjaft i zoti gjatë fushatës. Lega pati një kapërcim befasues në sondazhe duke shkuar nga 17% që ishte ne zgjedhjet e përgjithshme të 2018-tës, në 34% në zgjedhjet europiane të majit këtë vit.

Por aftësitë e tij strategjike kanë qenë më pak mbresëlënëse. Gabimi i vet i parë madhor këto javët e fundit ishte që nuk e parashikoi dot afrimin e M5S and the PD. Për momentin, Lega vazhdon të mbetet partia më popullore në Itali, M5S dhe PD janë dy forcat kryesore në parlament.

Salvini po kështu e nënvlerësoi Conten, e konsideruar shpeshherë si një “kukull”, kur drejtonte aleancën e Legës dhe 5 yjet. Por në fund, profesori jo vetëm arriti t’ia rrëzonte përpjekjen e një vote mosbesimi të kërkuar nga Lega duke e paraprirë lëvizjen e saj me dorëheqjen e tij, por me sulmin flakërues në senat ku e akuzoi liderin legist si “oportunist” dhe “të papërgjegjshëm”, i siguroi vetes edhe disa mbështetës të rinj.

Edhe përpjekjet që bëri krahu i djathtë i Salvinit, Giancarlo Giorgetti, nënkryetari i Legës për tu afruar sërish me M5S kur u kuptua gabimi, krijuan efektin e kundërt e u hodhën poshtë me forcë. Giorgetti, arriti deri aty sa të pretendonte se gabimi thelbësor i Salvinit dhe Legës ishte fitorja në zgjdhjet europiane. ‘Me 34% ai u bë armiku numër një, jo vetëm në Itali’, ishte komenti i tij. Ne kemi filluar të paguajmë për këtë sukses”.

Pjesa më e madhe e suksesit që dehu liderin e partisë nacionaliste, u ndërtua mbi sulmet ndaj emigrantëve, muslimanëve, homoseksualëve e madje edhe vetë Papa Françeskut. Pas zhvillimeve të fundit, ai tentoi madje ta nxjerrë veten si viktimë, duke deklaruar se një qeveri M5S-PD do të ngrihej thjesht mbi “urrejtjen ndaj Legës”.

Salvini madje e akuzoi dhe Bashkimin Europian se kishte komplotuar për largimin e Legës nga qeveria. Disa javë më parë la të kuptohej se do t`i nxistë mbështëtesit e tij të dilnin në rrugë, nëse zgjedhjet e reja nuk dukeshin në horizont. Kërcënime të ngjashme bëri dhe aleatja e Legës, partia më e vogël e ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë. Salvini u rrëzua vërtet në tokë, por nuk është dorëzuar.

Shumë e vënë në dyshim jetëgjatësinë e koalicionit M5S- PD dhe Salvini do të përpiqet t`i gërryejë sa më shumë të mundet themelet e tij. Lideri i Legës nuk do t`ia kursejë sulmet nga bangat e opozitës, e duke kapitalizuar suksesin në rritje të partisë së vet, do t`i fshikullojë pa reshtur të dyja partitë për projektbuxhetin polemizues, ekonominë e dobët dhe atë që e konsideron “marrje jodemokratike” të pushtetit.

Top Channel